Robben: Objektivi ynë është finalja

05/06/2012 18:15

Arjen Robben nuk ka kaluar momente shumë të mira gjatë fundit të këtij sezoni dhe po pret me padurim që të nisë EURO 2012 për të “rilindur”.

“Tani dua të përqendrohem tek Hollanda dhe kampionati europian. Jemi në Poloni dhe jemi gati për debutim. Jemi në grupin më të vështirë (Hollandë, Portugali, Gjermani dhe Danimarkë) dhe duhet të luftojmë për tu kualifikuar”, thekson sulmuesi i Bayern Munchen, i cili humbi një 11-metërsh në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Chelsea dhe u vërshëllye nga tifozët bavarezë disa ditë më pas në Allianz Arena ku Hollanda zhvilloi një miqësore ndaj Bayern.

Futbollisti hollandez nuk e fsheh se kombëtarja e tij është një nga favoritet kryesore për fitoren e trofeut dhe e përballon pa frikë presionin: “Objektivi ynë është të shkojmë në finale. Ka ardhur koha për brezin tonë që të fitojmë një trofe të madh. Kam besim se mund të fitojmë EURO 2012.”

Hollanda do të luajë ndeshjen e parë ditën e shtunë në orën 18.00 ndaj Danimarkës në grupin B.

Top Channel