
Euro 2012 mund të konsiderohet fare mirë edhe si një lloj kampionati
botëror dhe kjo për faktin se në një pjesë të mirë të skuadrave
pjesëmarrëse tashmë kanë në përbërje futbollistë, origjina e të cilëve
është jashtë kufijve të Evropës.
Portugalia është një prej përfaqësueseve multietnike të Euro 2012 dhe Nani është emri i parë që të vjen ndërmend. Futbollisti i Manchester United u transferua në Portugali që në moshë të vogël dhe këtu filloi edhe karrierën e tij si futbollist. E njëjta histori edhe për mbrojtësin e Portos, Rolando, ndërkohë që edhe Pepe preferoi të luajë me përfaqësuesen luzitane pavarësisht se është me origjinë braziliane.
Një tjetër skuadër që ka pasur në përbërje futollistë të lindur jashtë kontinentin evropian është Franca. Këtu përmendim Benzema, i cili ka prindër algjerianë ashtu sikurse edhe Samir Nasri. Po kështu mund të themi edhe për Ben Arfa’ që është me origjinë tuniziane, ndërkohë që Mandanda ka lindur në Zaire, por që ka pasaportë franceze.
Në Gjermani përmendim Zherom Boateng me baba ganez dhe nënë gjermane. Në rastin e familjes Boateng të bie në sy fakti se Zherom ka zgjedhur të luajë për përfaqësuesen gjermane, ndërsa vëllai i tij Kevin Prins, luan me skuadrën e Ganës.
Edhe Greqia ka në përbërje të saj futbollistë të huaj dhe bëhet fjalë për uruguiajanin Holebas dhe Sotir Nini, ky i fundit me origjinë shqiptare. Nuk mund të lemë pa përmendur në këtë aspekt as Holandën ku përmendim Afelaj dhe Bularuz, të dy të lindur në Marok. Te Danimarka të bie në sy emri i Okore, i cili ka lindur në Bregun e Fildishtë. Kjo traditë së fundmi ka prekur edhe Italinë, trajneri i së cilës, Cezare Prandeli ka thirrur te Të Kaltrit, italo-brazilianin Tiago Mota.
Top Channel