David Villa dhe Carles Puyol kanë refuzuar ftesën e Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) për të shkuar së bashku me skuadrën si vizitorë në kampionatin europian të futbollit që do të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni.
Sulmuesi dhe mbrojtësi i Barcelonës nuk janë grumbulluar me kombëtaren për shkak të problemeve fizike dhe trajneri Del Bosque gjithmonë nuk e ka pëlqyer idenë që këta dy lojtarë të qëndrojnë me shokët e tjerë edhe pse kanë një peshë të rëndësishme në ekipin kampion Bote dhe Europe.
Tekniku spanjoll mendon se marrja me vete e tyre mund të çojë në “krahasime të pakëndshme”, sipas vetë fjalëve të tij për mediat spanjolle.
Vetë futbollistët e kuptojnë se si funksionon futbolli profesionist dhe për këtë arsye kanë falenderuar Federatën dhe kanë refuzuar ftesën. Villa dhe Puyol nuk duan që të ndikojnë aspak në stërvitjen dhe përgatitjen e përditshme të shokëve të tyre, por në rast se Spanja avancon shumë në turne (ashtu siç pritet) do ta vizitojnë kombëtaren në grumbullim.
Top Channel