NDUE DEDAJ – Nuk është çudi që ndonjë nga gazetat e Perëndimit të
shkruajë për rastin shqiptar të “presidentit”. Ku mblidhen në një kafe
të Tiranës ca burra kryetarë partish parlamentare dhe aty për aty
caktojnë se kush do të jetë presidenti.
Bëjnë një listë me nja shtatë-tetë emra diplomatësh e juristësh të njohur, e shoshin ca atë listën nëpër duar, vënë gishtin te njëri emër dhe kështu, të paktën për ata, presidenti i ardhshëm u pagëzua. I thuhet të nominuarit do të jesh ti ai burri, ke konsensusin tonë, tani po të përcjellim tek opozita, se mos bie dhe ajo dakord. Dhe e gjitha kjo bëhet në orët e vona të së martës së 29 majit, kur nuk kanë mbetur as 24 orë nga votimi në seancë plenare të nesërmen në orën dhjetë. Kandidati është një emër i nderuar, i njohur nga elitat e kryeqytetit, pasi është anëtar i Gjykatës Kushtetuese, profesor i jurisprudencës, ish-ambasador, por njëherësh është po kaq i “panjohur” për publikun e gjerë shqiptar, i cili, për hir të së vërtetës, kërkon njëlloj aksesi në kësi punësh. Të zotin e shtëpisë ai e do jo vetëm një burrë të mirë, por dhe të dëgjuar. Pikë së pari ndonjë nga ata emrat e bujshëm të politikës. Por nuk kanë mbaruar “kafet” për presidentin. Kur shihet se kandidatura “Zaganjori” nuk po mund ta çajë, nisur dhe nga presioni i Brukselit, të dielën në darkë mblidhen dy liderët politikë kryesorë, Berisha dhe Rama, pasi si mund të venë në raundin e dytë duarbosh. Ku të fal konsensusi! Po dole kundër tij, ke gabuar rëndë. Duket si një shpikje e politikës së BE-së enkas për vende të “botës së tretë”, si Shqipëria, që duhen marrë përdore për çdo gjë.
Duke qenë personalisht më i prirur nga figurat që mund të vinin prej botës kulturore, akademike, por me ndihmesa të shquara dhe në jetën publike, nuk mendoj se ka fort sens te liderët partiakë në zgjedhjen e presidentit. Ata sikur e kërkojnë atë dytësor në raport me veten. Të mos ngjajë si një “rival” i tyre atje lart, le pastaj të qëndrojë mbi palët, dhe mundësisht (kjo nën zë) të jetë pak si yni, pa dashur të themi, i përdorshëm. Duket se po krijohet precedenti se për çdo gjë që ka të bëjë me politikën duhet shumë mund, përkushtim, vite të tëra betejash politike, kurse e vetmja gjë për të cilën nuk të duhet fare punë, madje as ta kesh shkuar vetë nëpër mend, është kjo puna e kreut të shtetit, ani se është posti numër një i vendit. Për këtë mund të të bjerë shorti, lotaria dhe fare mirë një ditë ti mund të bëhesh president. A nuk është rasti fatlum i Alfred Moisiut para dhjetë vjetësh i tillë? Nëse në Shqipëri ata që pretendojnë tash për tash të jenë kryeministra, janë veç dy-tre dhe “hahen” me njëri-tjetrin katër apo tetë vite rresht, atyre që iu është lakuar emri për president këto vite, qysh kur u gjet kjo e mesmja e artë e konsensusit, janë tej mase shumë, sa për asnjë post tjetër nuk ka pasur kaq kandidatura. Fjala vjen, për asnjë president futbolli, peshëngritje, lojërash me dorë, sikur kjo puna e Presidentit të Republikës të ishte sporti më i lehtë. E kjo se politika e ka zhvlerësuar këtë post, duke e përdorur rëndshëm politikisht, në favor të zgjedhjeve të ardhshme, atyre që prodhojnë mazhorancat dhe portofolet ministrore.
E vërteta është që zoti Berisha ka qenë që në fillim për një president nga politika, nga majat e saj, por me kushtin që të ishte një figurë kryesore e Partisë Demokratike. Ideja që presidenti të vijë nga politika nuk është pa vend. Por në Shqipëri figurat e larta politike janë ose nga PS-ja, ose nga PD-ja, duke çuar automatikisht në kundërshtimin e palës tjetër, çka përjashtoi (të paktën deri sonte) kandidaturat e Fatos Nanos dhe Jozefina Topallit. Gjithnjë duke folur në parim, diku tjetër mund të çuditen se si nga politika nuk pranohen figura të njohura, që kanë udhëhequr këtë vend prej vitesh, njëri duke qenë disa herë kryeministër dhe tjetra aktualisht Kryetare Kuvendit, që me Kushtetutë gëzon dhe titullin e zëvendëspresidentes. E gjithë kjo karrierë politike e dy protagonistëve u dashka shpërfillur, thjesht se njëri s’i pëlqen njërit e tjetri, tjetrit. Kjo mund të jetë gjithçka, por jo politikë në parametra modernë, ku dikush i “prodhuar” politikisht paragjykohet, politikisht! Ka nonsens në këtë qëndrim, pasi si zotin Nano, si zonjën Topalli i ka bërë ata që janë mandati i popullit, njëherë duke qenë deputetë, pastaj në postet e larta. Për të qëndruar pak te modelet që ata ofrojnë, Nano njihet për liberal, por jo dhe fort i angazhuar, që madje dhe “harrohet” ca si shumë jashtë politikës apo dhe jashtë vendit, pa u brengosur dhe aq për fatet e kësaj njerëzisë këndej, që një ditë lips ta drejtojë nga pozitat e kreut të shtetit. Kurse zonja Topalli, përkundrazi, gjendet përherë e përkushtuar, madje ndonjëherë dhe duke bërë protagonisten e ngjarjeve, si në rastin e Piramidës “parlamentare” etj. Çështja është çfarë do t’i sillnin presidencës çdonjëri? A do të kishte ajo nevojë për liberalitetin dhe moderacionin e Nanos, bashkëshoqëruar dhe me avashësinë dhe vakancat e tij, kur drejtësia, bie fjala, ka nevojë urgjente për reformë me themel? A do të ishin të mjaftueshme energjia dhe dinamizmi i zonjës Topalli për ta bërë këtë reformë të vonuar pa kompromis, për më tepër që gjithë këto vite nuk ka pasur lakim për afera korruptive, abuzim me ligjin etj.? Është tjetër që kryesueses së Parlamentit t’i kërkohej, siç dhe ka ngjarë, korrektim në sjelljen dhe ligjërimin parlamentar me opozitën. Po kështu, të qenët grua jo domosdoshmërish duhej të ishte favorizuese për zonjën Topalli, por në rastin e saj dhe kjo anë nuk duhej t’i shpëtonte vëmendjes së politikës më përtej se partia e saj. Se ka gjasë që bash ato bartje autenticiteti shqiptar, me të cilat Jozefina bën dallimin me elitën uniforme të gjysmëshekullit komunist, duhej të ishin edhe kredencialet më domethënëse për ta çuar atë drejt postit të kreut të shtetit; tradita intelektuale parlamentare e familjes, qëndresa përgjatë persekutimit politik gjysmëshekullor dhe ruajtja e integritetit moral, vëmendja e posaçme ndaj thesarit kulturor kombëtar të trevave gege, të rrënuara nën komunizëm, si martirizimi i kishës katolike, veçmas gegnishtja letrare, paçka ndonjë nuance dialektore etj.
Pra, kundrimi shumëplanësh i figurës së presidentit dhe jo “ndalimi” i tij politik, do të sillte një tjetër pamje vizionare. Konsensusi nuk ka vlerë kur kufizon dikë, në emër të kinse parimeve demokratike, marrëveshjeve etj. Mirëkuptimi më i madh i një vendi është vetë Kushtetuta e tij. Kush na bind se ky konsensusi i kafeve është më i vlefshëm se ai i sanksionuar me ligjin themeltar të shtetit. Kush na thotë se nesër presidenti i dalë nga konsensusi është më i mirë se ai i miratuar me konkurrim parlamentar. Kur themi këtë nuk kemi aspak parasysh cakun e ngushtë, atë të fundmin, 71-votshin. Përpjekjet që presidenti të zgjidhet me 84 vota përbëjnë një kredo të merituar, për të cilën ia vlen të punohet. Pse jo, një president dhe me më shumë vota se kaq. Por pa përjashtuar politikanët. Ky vend ka nevojë për një president të dalë nga politika, për të realizuar reforma të thella politike. E nëse nuk na pëlqejnë politikanët, që pasi të jenë rritur e ngjitur nisin dhe iu dalin në pah “cenet”, atëherë ne mund të kërkojmë diçka tjetër nga politika dhe nga vetja, të votojmë pas një viti figura përherë e më të denja, më përfaqësuese e më të pëlqyeshme në publik, që iu përshtaten shijeve tona dhe standardeve të shtetit e pushtetit. Por jo t’i vëmë kufij karrierës së tyre politike, me paragjykim, duke afruar përballë tyre kandidatura më të “lehta” se ata.
Duam apo nuk duam, në këtë punën e presidentit, tash për tash është krijuar precedenti. Dhe pas pesë vjetësh sërish do të thërrasim në ndihmë çelësin magjik, “konsensualin”, për të na shpëtuar nga… Kushtetuta. Kësaj radhe nevojën e saj ishte zoti Berisha që e artikuloi në fillim, por atëherë mund të jetë i kundërti i tij politik, që do të kërkonte pikërisht këtë gjë. Precedentët në politikë është më mirë të mos krijohen, pasi nuk i shporr kollaj dhe kur ato bëhen pengesë për të shkuar përpara.
Top Channel