Katër ditë nga nisja e kampionatit europian të futbollit dhe gjashtë ditë nga debutimi i Italisw kundër Spanjës, për teknikun e skuadrës italiane Prandelli, “dhimbjet e kokës” shtohen.
Sikur të mos mjaftonte skandali i trukimit të ndeshjeve, që la jashtë Criscito-n, tekniku i axurrëve tashmë duhet të përballet me një tjetër mungesë cilësore në repartin e mbrojtjes.
Lajmet nga Polonia nuk janë aspak të mira, qendër-mbrojtësi Barzagli ka pësuar një dëmtim në këmbën majtë dhe pritet të qendrojë jashtë fushës, të paktën për 20 ditë. Kjo do të thotë që mbrojtësi i Juventusit do të humbasë ndeshjet e fazës në grupe, për t’u aktivizuar (nëse Italia kualifikohet) në fazën pas grupeve, me eleminim direkt.
Dëmtimi i Barzagli-t detyron trajnerin Prandelli të braktisë skemat e tij me 3 mbrojtës, duke ndryshuar modul, ndoshta në 4-3-3, megjithëse me këtë skemë Italia nisi edhe takimin miqësor kundër Rusisë, takim të humbur me rezultatin 3-0.
Top Channel