Një gjyq që zvarritet e zvarritet e prej të cilit plot 53 fermerë rrezikojnë 267 vite burg për shkak të një refreni të kthyer thuajse në lojë, kërp industrial apo kanabis.
Rrëmuja ligjore e katranosur si mos më keq me vendime e nënvendime, gjyqe të panumërt e akuza të ngatërruara, të vendosura e të mbivendosura në periudha të ndryshme, qëndron si çekan kërcënues mbi thuajse të gjithë zonën e Shkrelit.
Edhe pse analiza ligjore do të kërkonte ekspertë të vërtetë të fushës, në fshatrat e kësaj komune lexohet qartazi një e vërtetë që nuk kërkon interpretime, as mund të fshihet e as mund të manipulohet nga kurrkush.
Udhëtimi ndër vise klanesh mafioze, të pakten nëse i referohesh trajtimit që i ka bërë drejtësia, është një rrugëtim përmes Shkrelit në përpjekje për të kërkuar atë pak të vërtetë, objekt akuzash e historish pa fund.
Mjaftojnë vetm pak minuta për të parë që ndryshe nga sa pritej në një zonë të akuzuar për kultivimin e drogës nga drejtësia, fshatrat e Shkrelit ofrojnë pasqyrën e një varfërie të dallueshme për së largu.
74-vjeçari Dede Gegaj është një nga të dënuarit me pesë vjet heqje lirie. Ai jeton me bashkëshorten e tij gjysëm të paralizuar me të ardhura që përfshijnë vetëm një pension të thjeshtë.
Drejtësia e ka cilësuar kultivues bimësh narkotike pavarësisht se ai tregon se shoqata britanike që u ka shpërndarë farën gjithë banorëve e ka bërë gjithçka konform ligjit dhe jo në mënyrë të fshehtë.
”Nuk e mbollëm malit, por e mbollën në tokë, çiltas pa kurrgjë. Duke mbjellë kërp menduam të nxjerrim disa të ardhura shtesë e të mos mbetemi tek thesi me miell që na japin ndihmat”, shprehet Gegaj.
Varur në shtëpinë e tij është edhe një prej qilimave artizanale të bërë nga banorët me fijet e kërpit, përmes tyre apo edhe tullave me pjesën e kërcellit, çajit me gjethet, por edhe veshmbathjeve gjithçka e prodhuar nga kjo bimë, synohej përmirësimi i jetës financiare për të gjithë këtë zonë.
”Une për vete veç me i dhënë shpirtin shtetit sepse nuk kam se çfarë t’i jap tjetër. Ne që jemi dënuar jemi njerëz të mbetur si peshku pa ujë, vetëm të ngordhim këtu, kjo na ka mbetur”, shprehet një banor i zhgënjyer.
Nga një i denuar tek një tjetër, vitet e dënimit nuk ndryshojnë, ashtu si realiteti ku ata jetojnë , kudo i njëjtë me skamjen që mbeshtjell kullat qindra-vjecare.
”Une jam mbi 70 vjeç dhe ne kemi nevoje për punë. Ne nuk jemi mësuar me këto bizneset sikurse mendojnë këta pelivanët që duan me na futur në burg. Për mua nuk ka shumë rëndësi se ku më çojnë, jam 70 vjeç dhe në burg jetoj gjithsesi. Ne nuk jemi mafiozë, nuk jemi marrë kurrë me këtë punë”, thotë Mirash Rrakaj, banor i Shkrelit.
Mirashi jeton vetëm me gruan dhe një vajzë të sëmurë me të ardhura që vijnë vetëm përmes asaj toke që u gjendet pranë shtëpisë. Gjithçka tjetër është një përshtjellim në betejën për të garantuar një mbijetesë të vështirë, shumë të vështirë.
Në fshatin me kaq shumë të dënuar, në Bogë, bën përshtypje fakti se nuk sheh qoftë edhe një makinë të vetme. Banorët mikpritës, ashtu si në të gjithë Malesinë e Madhe lëvizin të qetë teksa kryqëzohen ngadaltazi rrugicave të ngushta.
Në kullën e Gjokajve, ku është dënuar burri i shtëpisë, Tonini koha duket sikur ka ngrirë mes mureve të çara e të hartosura nga lagështira që i jep një pamje të trishte e të harruar. ”Ne nuk kemi të ardhura. Mbijetojmë me patatet që mbjellim në këtë copë tokë. Si e përballojmë jetën? Ashtu, me fukarrallë. Nëse shoqata angleze ka sjellë hashash, ka qenë e ligjëruar dhe shteti ka faj, pasi e ka ndjekur ai këtë pimë”, shprehet Tonini.
Kalvari gjyqësor i çështjes së kërpit ka nisur në vitin 2001 ku fituan fshatarët, të cilët duhet të dëmshpërbleheshin edhe me një shifër prej 111 mijë dollaresh. Por, nuk mbaroi ketu, me gjyqet e reja të hapura në 2005, 2007 dhe 2008.
Një “mish-mash” ligjor ku viktimat e vetme ishin banorët e Shkrelit. Nuk ka nevojë për një analizë të specializuar për të kuptuar e për të ndjerë të vërtetën e kësaj zone, për të bërë diferencën mes një të tille që trafikon droge dhe një zone si Shkreli, ku skamja është ulur këmbëkryq.
Top Channel