Absurditeti i një moratoriumi

04/06/2012 00:00

FATOS BAXHAKU – Këtu e katër ca vjet më parë teksa qetësonim sytë
e mendjen në mrekullinë gjysmë të gjelbër e gjysmë gri të Lehusës së
Përmetit, xha Poli, një plak i këndshëm mbi të 80-at, kujdestari i
kishës së famshme të Shën Mërisë dhe mikpritësi ynë, pasi na i nguli
sytë një herë e mirë të tërëve me radhë na shtroi një pyetje: More
djema, meqë ju na qenkeni gazetarë, e andaj duhet të dini disa gjëra, pa
thoni pak a e dini se përse deti ka kripë?

Ne rrotulluam sytë duke parë njëri-tjetrin, teksa plaka e tij e imët, e palosur më dysh nga një jetë e gjatë plot mundime, po na shërbente kafenë. Çfarë nuk na shkoi ndërmend asokohe, jo vullkanet, jo tretja e shkëmbinjve në ujë, madje edhe vetë alienët, me pak fjalë lloj-lloj marrëzirash “shkencore”. Për çdo përgjigje tonën, plaku, që e cilësonte veten si filozof popullor të krahinës, tundte kokën duke u kënaqur me padijen tonë të plotë në lëmë të ujërave të kripur. Iu lutëm e iu lutëm që të na e thoshte përgjigjen e saktë, por ai veçse përsëriste: Ju jeni gazetarë, gjejeni de! Më në fund, teksa po na përcillte drejt portës së drunjtë kërkëllitëse, i tha njërit prej nesh në vesh: Po ka kripë që të mos qelbet more! Përndryshe do të qe bërë batak. Për shumë kohë e kishim harruar teorinë e plakut të mirë, sot të ndjerë, mbi kripëzimin e deteve, por mjaftoi që një grup drejtuesish lokalë të bënin thirrje për heqjen e moratoriumit, që ndalon skafet që të na kujtoheshin sërish sytë e tij të shndritshëm.

Detet, liqenet, ujërat janë një nga pasuritë më të mëdha që Perëndia i ka dhuruar një populli të vogël si i yni. Është shumë e vërtetë që prej andej na kanë ardhur pushtues, derte e halle, porse është po aq e vërtetë që detet kanë qenë njëherazi edhe ura të jashtëzakonshme komunikimi ekonomik, kulturor, njerëzor.

Ne jemi të rrethuar nga një pasuri e madhe ujore. Vetëm Adriatiku, që nga Venecia e deri në ngushticën e Otrantos (74 kilometra distanca Otranto-Itali) janë 5876 kilometra bregdet. Sipërfaqja e këtij deti është 14 mijë kilometra katrorë, nëse deti do të bëhej rreth ai do të kishte një diametër prej 492 kilometrash. Joni është më i vogël, porse një urë kalimi nga më të rëndësishmit drejt Jugut. Liqenet tanë kanë rekorde më vete. Ai i Shkodrës është më i madhi në Ballkan, i Ohrit dhe i Prespës janë nga më të vjetrit e më të pasurit. Një pasuri për krejt vendet që lagen prej tyre.

Tani, si i kemi përdorur ne ujërat tona. Të paktën detet i kemi shndërruar në rastin më të mirë, në një vend për t’u lagur gjatë verës. Pastaj i konsiderojmë si një vend që duhet kaluar, por jo shfrytëzuar. I kapërcejmë me avionë e tragete, në një farë mënyre po i konsiderojmë si ajër apo si tokë, por kurrsesi si ujë, sikurse do të duhej ta respektonim vërtet.

Sa për të bërë pak histori. Andej nga fundi i viteve ’50, Georg Stadtmueller, ballkanolog i njohur gjerman, njëri prej themeluesve të ballkanologjisë moderne, në një botim të tij pat shkruar se shqiptarët nuk janë fort të lidhur me detin, se ata, të zbritur nga malet, i janë afruar atij vonë dhe disi me ndrojtje. Për të vërtetuar tezën e tij ai shfrytëzoi terminologjinë detare të shqipes. Asnjë prej fjalëve të kësaj terminologjie nuk i rezultonte në shqip. Thuajse të gjitha kishin origjinë latine. Kjo tezë, në kohën e komunizmit nacionalist, u konsiderua shpejt e shpejt si thjesht antishqiptare, e dëmshme, gënjeshtare, prosllave. Librat e tij u ndaluan. Ata mund t’i lexonin vetëm një grup i ngushtë studiuesish, por edhe këta vetëm për të bërë kritika ndaj tij. Këtu nuk është as vendi dhe as koha për t’u marrë me teorinë Stadtmueller-it. Duhet të pranojmë një gjë: mbase me përjashtim të ulqinakëve, detarinë ne nuk e kemi pasur në gjak, sikurse kemi pasur profesione të tjera, si çobaninë, ushtrinë, nëpunësinë, zejet e ndryshme, deri diku edhe tregtinë. Ndonëse jemi një popull goxha bregdetar, deti për ne deri vonë në kohët moderne ka qenë një gjë gati-gati e frikshme, një gjë e huaj, sigurisht me përjashtimet e rastit. Edhe në liqenet tona, fshatrat rreth e rrotull ishin më shumë bujq e blegtorë se sa peshkatarë dhe mbase vazhdojnë të jenë ende. Autori i këtyre radhëve ka njohur personalisht njerëz, që ndonëse prej brezash kanë jetuar në anë të ujit, nuk janë kredhur kurrë në të! Kulmi i kësaj largësie nga detet dhe nga liqenet ndodhi në kohën e komunizmit, kur u shndërruam vërtet në popullin më pak detar të botës. Ujërat konsideroheshin “kufij të pathyeshëm të fenerit ndriçues”. Ndodhi një habi e madhe historike. Për mijëra vjet me radhë Brindisi (Brindisium), fundi i rrugës romake Apia, nuk u lidh më me Durrësin (Dyrrachium), fillimin e rrugës së vjetër Egnatia. Grekët e shfrytëzuan mirë këtë antidashuri tonën me detin. Në fillim të viteve ’60 lidhja detare mes Brindisit dhe Igumenicës ishte njëra ndër më të frekuentuarat në botë. Ja se ku të çon nganjëherë padija, fodullëku, mungesa e horizonteve të gjera. Nuk mjafton të lagësh këmbët në ujë, nuk mjafton edhe të kesh sado pak anije tregtare apo peshkarexha të lodhura, lidhja me detin është një gjë krejt tjetër, është në thelb më shumë shenjë kulture e mënyrë të jetuari.

Tani, le të dalim më mirë te moratoriumi, që ndalon skafet të lundrojnë në ujërat territoriale shqiptare. Asokohe kjo masë u mor për të frenuar trafiqet e njerëzve, të drogës, “të grave të përgjithshme” e kështu me radhë. Mbase në atë kohë kjo ishte një masë e detyrueshme. Ishte e detyrueshme ngase qeveria e asokohshme donte të zgjidhte një herë hallet e saj me krimin e organizuar brenda vendit dhe pastaj të merrej me gjërat e tjera. Me siguri kjo është kërkuar edhe nga italianët, të cilët megjithëse u kthyen pas shumë e shumë dekadash në “ëndrrën” e tyre të vjetër, në Sazan, sërish nuk arritën të frenonin skafet klandestine. Meqë ra fjala tek italianët, këta duhet t’i konsiderojmë në këtë rast në dy kategori. Njëra palë janë institucionet e tyre shtetërore, të cilave klandestinët dhe mallrat që shkonin andej përkëndej Adriatikut u shkaktonin sigurisht telashe të mëdha. Por ama është edhe një palë tjetër. Të gjithë e dimë se bosët italianë kanë nxjerrë përfitime të papara nga skafet që niseshin nga Vlora e gjetiu. Me gjithë të zezat e mundshme ishin para që më shumë përfundonin në Itali e më pak në Shqipëri. Po nejse… meqë jemi tek italianët duhet ta dimë se vetë skafet janë një shpikje italiane, të paktën në mënyrën se si i konceptojmë ne sot, për nga forma e madhësia. Italianët nisën t’i përdorin me sukses për qëllime ushtarake që në luftën me osmanët më 1911-1912. Ato quheshin në fillim MAS (në italisht motoskafë kundër nëndetëseve). Në tekstet e historisë në Itali ende kujtojnë me mburrje se si njëri prej tyre, gjatë Luftës së Parë Botërore, arriti të mbysë koracatën “Szent Istvan”, krenarinë e flotës austro-hungareze.

Kohët kanë ndryshuar. Vetë qeveria ka deklaruar me dhjetëra herë se e ka fituar luftën ndaj skafeve klandestine. Skafistët vetë kush e di se ku janë. Një pjesë në burg këndej e andej detit, të tjerët me siguri shikojnë punët e tyre. Pastaj, të paktën trafiku njerëzor nuk ka më asnjë arsye përse të ekzistojë. Për fat, të paktën deri në Itali e rreth e rrotull mund të shkojmë pa vizë. Përse duhet të rrezikojmë jetën për të mbërritur matanë?

Ka ardhur koha, dhe kërkesa e drejtuesve lokalë të vendeve tona të lagura nga ujërat na e kujtoi këtë, që t’i japim detit ngjyrat e kërkuara, t’i japim vetes një tjetër dimension qoftë ky ekonomik, qoftë ky shpirtëror, t’ia heqim vetes atë njollën e mbetur nga historia si një popull jodetar. Ka ardhur koha më në fund që qeveria, shteti, të mbrojnë atë që pretendojnë, pra se e kanë situatën krejtësisht nën kontroll. Përndryshe, sikurse shkruante dikur një koleg kosovar, nëse moratoriumi do të mbetet në fuqi, do të ishte njësoj sikur të ndalonim seksin për hir të ekzistencës së prostitucionit. Nëse moratoriumi mbi skafet më në fund do të mbetet vetëm ndër arkiva, atëherë detet do të kenë më shumë kripë dhe nuk do të rrezikojnë të shndërrohen në moçale, sikurse kishte frikë xha Poli, filozofi popullor i Lehusës. Por atij, asokohe, pak vetë, madje edhe vetë ne nuk ia vumë fort veshin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA