Ronaldinho mund të transferohet në Argjentinë

03/06/2012 10:30

Ronaldinho vendosi të largohej nga Milani në 2011-n për të mbyllur karrierën në Brazil, por sipas mediave të vendit të tij, 32-vjeçari mund të jetë pranë një transferimi të bujshëm në Argjentinë.

Pasi aventura e tij me Flamengon tashmë është mbyllur përfundimisht, ish-fituesi i Topit të Artë është vendosur në kërkim të një kontrate të re.

Interes për të duket se kanë shfaqur disa klube europiane, përfshi Malagën e sheikut Al-Thani, por disa javë më parë, vëllai dhe manaxheri i tij bëri të qartë se Dinho është larguar një herë e përgjithmonë nga Europa, ku ka luajtur në tre kampionate të ndryshme, me Paris SG, Barcelonën dhe Milanin.

Në Argjentinë, futbollisti kërkohet nga River Plate dhe kjo ofertë duket se e tërheq Ronaldihnon.

”Los Milionarios”, në radhët e të cilëve luan edhe një tjetër futbollisti i madh si David Trezeguet, kanë kaluar vështirësitë financiare dhe janë pranë rikthimit në elitën e futbollit argjentinas, ku përgatiten të sfidojnë menjëherë rivalët historikë të Boca Juniors.

Për drejtuesit e klubit, Ronaldinho do të ishte dhurata më e mirë që mund t’i bëjnë tifozëve të tyre.

Top Channel