Në 5 qershor për Amerikën Veriore dhe atë Jugore, në 6 për pjesën tjetër të botës, njerëzit do të kenë rastin të dëshmojnë një prej ngjarjeve më të rralla të parashikueshme në astronomi: kalimin e venusit përgjatë diellit.
Për 6 orë, disku i planetit do të duket si në siluetë duke shkaktuar një pikë të vogël të zezë mbi lëmshin e zjarrtë. Ekspertët thonë se kushdo që dëshiron ta shohë fenomenin e rrallë me sy të lirë, duhet të mendojë për mbrojtje, qoftë nëpërmjet syzeve, qoftë duke përdorur teleskope me filtra të përshtatshëm. Por nëse e humbisni këtë rast, shtojne ata, nuk do të keni tjetër. Mundësia e radhës nuk vjen përpara vitit 2117.
Cdo shekull, lëvizjet orbitale të tokës dhe venusit i vendosin dy planetet në një rreshtim perfekt me diellin, duke prodhuar një cift kalimesh, nga të cilat vetëm 6 janë dëshmuar në histori, i pari në 1639-ën, dhe i fundit në 2004-ën.
Kur shikon diellin, vëren formimin e një pike të errët në qoshe të sipërfaqes që është sa 1/30-ta e madhësisë së diskut të vetë diellit, dhe brenda disa orësh do të shtegtojë në sipërfaqen e yllit, shpjegojnë specialistëet.
Të tilla kalime nuk e kanë humbur aftësinë e tyre për të befasuar astronomët. Kur ndodhi tranziti në 2004-ën, asnjeri i gjallë nuk kishte pare gjë të ngjashme. I fundit përpara tij kish qenë në 1882-in.
Sot njerëzit shijojnë spektaklin, por në shekujt e kaluar shkencëtarët e përdornin tranzitin për gjetur përgjigjet mbi sistemin tonë diellor. Ata kuptuan që në shekullin e 17-të se përmes parashikimit të saktë të kalimit të Venusit përgjatë Diellit, mund të përllogaritet largësia prej tij, e cila ishte atëherë një pyetje themelore.
Top Channel