Ukraina, e pashqetësuar nga racizmi në Euro 2012

01/06/2012 08:30

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, theksoi se frika e sulmeve raciste në vendin e tij gjatë zhvillimit të Euro 2012 është e pabazuar në fakte.

Në një intervistë të transmetuar në “BBC” ditën e premte, Yanukovych theksoi se “huliganët në vend janë të skeduar dhe të njohur nga policia, e cila do t’i vëzhgojë nga afër gjatë mbarëvajtjes së Europianit”.

Komentet e tij erdhën pas një dokumentari të mëparshëm të “BBC”-së, që tregonte se racizmi dhe anti-semitizmi është i kudondodhur në futbollin ukrainas.

Intervista preku edhe çështjen e ish-kryeministres Yulia Tymoshenko, e cila mbahet e burgosur pasi më parë gjatë vitit u gjet fajtore për abuzim me detyrën.

Liderja e opozitës u dënua me shtatë vjet heqje lirie dhe vazhdon të mbahet në izolim, pavarësisht gjendjes shëndetësore në përkeqësim dhe protestave të BE-së, që e ka cilësuar procesin e saj si të montuar dhe politik.

Shumë liderë europianë kanë njoftuar se do të bojkotojnë Ukrainën gjatë ndeshjeve në shenjë proteste.

“E dimë që çështja Tymoshenko pengon integrimin europian të vendit tonë”, deklaroi Yanukovych. “Për këtë arsye kemi pajtuar një studio ligjore amerikane, që të vlerësojë nëse gjyqi i saj ka qenë i rregullt”.

Top Channel