“Facebook” kapitullon për herë të parë

01/06/2012 13:00

“Facebook” përjetoi një ndërprerje të shërbimit për një pjesë të 900 milionë përdoruesve të tij në orët e para të së premtes, pasi ra pre e një sulmi kompiuterik të grupit famëkeq të piratëve, “Anonymous”.

Duke përdorur rrjetin tjetër shoqëror, “Twitter”, për të shprehur pakënaqësinë e tyre, mijëra përdorues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Singapori shprehën irritimin e tyre për pamundësinë e hyrjes në faqe për rreth tre orë, nga ora 2-5 të mëngjesit me orën shqiptare.

Goditja e “hackers” vjen në momentin më të keq të mundshëm, teksa kuotimi i rrjetit më të madh shoqëror në bursë ka shkuar gjithmonë e më keq, ndërsa vlera e aksioneve ka rënë me 22% nga kuotimi fillestar, dy javë më parë.

Këto lajme të njëpasnjëshme të këqija vijnë në momentin kur themeluesi dhe aksioneri kryesor i rrjetit, Mark Zuckerberg, ndodhet në Itali në muaj mjalti, pas martesës surprizë që realizoi më parë.

Në një komunikatë, “Facebook” pranoi vështirësitë teknike: “Më parë gjatë ditës, përjetuam disa vështirësi në përdorimin e faqes sonë. Këto probleme janë zgjidhur dhe kushdo tashmë ka akses në rrjet. Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim”.

Kjo është hera e parë që gjigantët e “Facebook”, nëse do të verifikohet, bien pre e një sulmi nga “hackers”. Në të shkuarën, Zuckerberg ishte krenuar me faktin që rrjeti nuk kishte pësuar kurrë vështirësi apo të kishte rënë që prej lëshimit të tij fillestar, në shkurt 2004.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA