I shpërfytyruari nga sëmundja kërkon grua

31/05/2012 19:20

Një i ri, i cili është prekur nga një sëmundje tejet e rrallë që e ka lënë me kokë, këmbë dhe duar gjigante, është duke kërkuar me dëshpërim një kurë, në mënyrë që më në fund të martohet dhe të krijojë familje.

22-vjeçari Sain Mumtaz ka mbetur i shpërfytyruar nga sindroma e Proteus, e cila ka bërë që disa pjesë të trupit të tij të vazhdojnë të rriten ndërsa të tjera janë stopuar.

Për fatin e tij të mirë, Mumtaz ka gjetur një ambient të ngrohtë dhe përkrahës në komunitetin e tij në Lahore, Pakistan, por e ka patur të pamundur të udhëtojë në kërkim të një kure të efektshme, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Besohet se pakistanezi vuan nga një variacion unik i sindromës në fjalë, për shkak të çrregullimit simetrik të fytyrës dhe kafkës së tij.

Thellësisht bestimtar, Sain prej vitesh e konsideronte sëmundjen e tij si një ndëshkim nga Zoti për mëkatet e kryera, deri sa një hoxhë i bëri të qartë se me gjendjen e tij nuk kishte asnjë ndikim Perëndia, duke e inkurajuar qe te kerkoje nje zgjidhje mjekesore.

Banorët vendas, të cilët i referohen Sainit si “miku i tyre gjigant”, janë të vendosur që ta ndihmojnë që të gjejë një kurë, ndërsa kanë bërë thirrje të shumta që 22-vjeçarit t’i vihet në ndihmë.

Vetë i riu, shprehet se ëndrra e tij më e madhe në jetë është të gjejë një grua dhe të krijojë familje, por është i vetëdijshëm që me fytyrën që ka nuk mund ta bëjë këtë.

”Kam qenë kështu që kur linda. Fytyra, këmbët dhe krahët e mi kanë pasur gjithmonë dimensione të tjera nga ato të njerëzve normalë”, shprehet Mumtaz.

”Megjithatë, jam mendërisht i fuqishëm dhe kuptoj gjithçka. Përpiqem të jetoj jetën time si të gjithë të tjerët, ashtu si nëna, babai, vëllezërit e motrat e mia. Në të shkuarën, të tjerët largoheshin me vrap nga unë të tmerruar, por tani më njohin dhe më trajtojnë si shok. Shpresoj që një ditë të kurohem dhe të gjej një grua që të më dashurojë”.

Sain nuk është vizituar tek një mjek që kur ka qenë i vogël, por i është thënë se vuan nga një sindromë nga e cila nuk ka asnjë kurë.

Megjithatë, ai do të ishte i gatshëm të provonte disa trajtime eksperimentale, të paktën për të përmirësuar pamjen dhe cilësinë e jetës së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA