Autoritetet italiane vazhdojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e plotë të skemës së radhës së basteve të paligjshme që ka përfshirë futbollin italian.
Fakte të reja dalin në dritë ku tregohet që jo vetëm futbollistët apo menaxherët kanë qenë të përfshirë në trukimin e ndeshjeve, por edhe vetë drejtues të klubeve.
Mediat italiane, duke cituar burime anonime nga grupi hetimor në Kremona, shkruajnë se presidenti i Sienës, Massimo Mezzaroma jo vetëm që kishte dijeni për fiksimin e ndeshjeve, por i nxiste vetë ato.
Sipas dëshmive të dhëna nga dy ish-lojtarë të Sienës, Carobbio dhe Coppola, presidenti Mezzaroma u kishte kërkuar atyre humbjen e ndeshjes kundër Varezes pasi kishte ndërmend të luante në baste humbjen e skuadrës së tij.
Skandali i basteve përvecse ka prangosur emra të njohur të futbollit italian, si kapiteni i Lacios Mauri apo hapjes së hetimit ndaj trajnerit të Juventusit, Antonio Conte, i dyshuar për përfshirje në bastet e paligjshme në kohën kur drejtonte Sienën, ka nxitur edhe reagimin e politikës.
Ka qenë vetë kryeministri italian, Mario Monti, i cili nën dritën e skandalit të fundit deklaroi se ndoshta është më mirë që futbolli italian të ndalet për 2 ose 3 sezone. Kryeministri tha se kjo ndalesë do të pastronte lojën sportive nga trukimet e do t’i jepte mundësi hetuesve të përfundonin detyrën e tyre.
“Telefonatat dhe gjuha e koduar e Maurit”
Hetimet e prokurorëve italianë mbi skandalin e bastave bazohen kryesisht tek përgjimet telefonike. Emri i kapitenit të Lacios, Stefano Mauri është më i lakuari në këto telefonata.
Sipas dosjes voluminoze të hetuesve italianë, kapiteni i Lacios përdorte numra telefonikë të regjistruar në emër të anëtarëve të bandës së “ciganëve” që kujdesej për fiksimin e ndeshjeve duke ofruar shuma të majme parash për futbollistët e përfshirë në skandal deri më tani.
Por përvec numrave telefonikë të regjistruar në emër të bandës, Mauri shfrytëzonte edhe numrat e kolegëve futbollistë, si telefonin e Sculli-t, Milanetto-s dhe Kaladze-s.
Në këto biseda flitet për “orë” dhe “dyer”, një gjuhë e koduar për të mos u pikasur nga përgjuesit. Megjithatë pjesa më e madhe e bisedave është çkoduar nga hetuesit italianë që po i japin dorën e fundit akuzave kundër grupit të lojtarëve.
Në dy ndeshje ku dyshohet se është fiksuar rezultati është e përfshirë skuadra e Lacios, e para është ndeshja Lacio-Xhenoa dhe Lece-Lacio, që të dyja ndeshje të sezonit 201-2011.
Top Channel