Moto GP, Pedrosa: Do të luftoj për fitore

29/05/2012 18:10

Dani Pedrosa, piloti i Repsol Honda, ka theksuar se po pret me padurim garën e Katalunjës në Moto GP pasi vitin e kaluar nuk mori pjesë për shkak të dëmtimit dhe shtoi se do të bëjë gjithçka për të marrë një fitore që do e afronte me liderin e kampionatit botëror të motoçiklizmit, Jorge Lorenzo.

“Katalunja është një nga garat e mia të preferuara sepse e gjithë familja ime, miqtë dhe fansat vijnë për të më mbështetur dhe është një datë e rëndësishme në kalendarin e Moto GP për mua”, deklaroi spanjolli.

Pas garës pilotët do të qëndrojnë në Montmelo për të vazhduar me testimet mbi motorat e tyre para se të nisen për në Britaninë e Madhe.

“Testet e ditës së hënë do të jenë shumë të rëndësishme për skuderinë. Pista e Katalunjës është shumë e mirë për të provuar gomat e reja. Duhet të punojmë mirë në mënyrë që të shkojmë në Silverstone me sa më shumë informacion”, shtoi Pedrosa për ‘AS’.

Gara e pestë e kalendarit të Moto GP do të zhvillohet të dielën në orën 14.00 dhe mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel dhe në paketën Supersport të Digitalb.

Top Channel