Kombëtarja, miqësoret rrisin moralin

29/05/2012 01:48

Fitoret në 2 ndeshjet miqësore me Katarin dhe Iranin duket se i kanë ngritur moralin trajnerit të kombëtares shqiptare Gianni De Biazi, i cili ka folur me superlativa për grupin e lojtarëve që ka patur në dispozicion.

Por përsa i përket eleminatoreve të botërorit tekniku italian është pak i tërhequr dhe i bën thirrje tifozëve shqiptar që të jenë me këmbë në tokë.

“Jam i kënaqur nga loja, lojtarët dhe rezultati në këto 2 ndeshje, por para se gjithash jam i kënaqur nga grupi i lojtareve qe kemi, pasi është një grup shume kompakt. Përsa i përket rezultatit, ai të jep më shumë besim në punën që t’i bën. Unë mendoj që rezultati nuk është asnjëherë rastësi, por është frut i lojës së skuadrës. Filozofia që duhet të ndjekim me këtë skuadër është të njohim limitet që ne kemi, duhet të dimë që na presin eleminatore shumë të vështira. Besoj se kjo skuadër ka shumë veti të mira, vendosmëria në fushë, dëshira që ka për të ndihmuar njëri-tjetrin në fushë dhe agresiviteti, por duhet t’ju kujtoj se në letër kemi kundërshtarë të paktën 3, shumë herë më të fortë sesa ne”, deklaroi De Biazi.

Testin e fundit para eleminatoreve të botërorit kombëtarja shqiptare e drejtuar nga De Biazi do ta bëjë në gusht përballë përfaqësueses moldave.

Top Channel