Thomas Sorensen, portieri i Danimarkës, do të mungojë në kampionatin europian të futbollit për shkak të një dëmtimi në shpatull.
35-vjeçari i cili luan me Stoke në Angli, u dëmtua gjatë miqësores që Danimarka humbi ndaj Brazilit (1-3) tre ditë më parë dhe pas vizitave mjekësore është vendosur mosgrumbullimi i tij për EURO 2012.
“Ka një mundësi shumë të vogël që Thomas të rekuperohet, por nuk mund të rrezikoj duke e marrë me vete në turne. Për këtë arsye portieri ynë titullar do të mungojë në Ukrainë e Poloni”, bëri të ditur në një komunikatë trajneri i përfaqësueses daneze, Morten Olsen.
Portieri veteran, i cili ka luajtur 100 ndeshje me Danimarkën, ka 11 vjet që mbron portën e kombëtares pasi mori stafetën nga legjenda Peter Schmeichel. Pikërisht djali i këtij të fundit, Kasper Schmeichel, do të grumbullohet në vend të Sorensen.
Tashmë në luftë për një vend titullari në portë do të jenë Stephan Andersen (Evian) dhe Anders Lindegaard (Manchester United).
Danimarka është në grupin B së bashku me Gjermaninë, Hollandën dhe Portugalinë.
Top Channel