
Tifozët angleze të bojkotojnë kampionatin Evropian të Polonisë dhe
Ukrainës. Ky është apeli i bërë nga ish futbollisti i Tre Luanëve, Sol
Campbell në një dokumentar të rrjetit televiziv BBC.
Ish-futbollisti anglez deklaroi se askush nuk duhet të shkojë në Poloni dhe Ukrainë, ku rreziku i dhunës dhe racizmit është shumë i madh, deklarata kjo që gjeti një pasqyrim të gjerë në median britanike.
Dokumentari i BBC flet për dhunën e shfaqur hapur në stadiumet e vendeve organizatore të Euro 2012. Të bie në sy pamjet ku një pjesë e mirë e tifozëve bënin përshëndetje naziste, fyerjet ndaj futbollistëve me nfjyrë, apo sulmet ndaj studentëve aziatikë në stadiumin e Metalist Karkiv.
Javën e kaluar, një tjetër televizion Sky TV shfaqi plane të grupeve të ndryshme ekstremiste që po kërcënonin me sulm evenimentin më të rëndësishem evropian.
‘Evropiani i vitit 2012 nuk duhej zhvilluar në Poloni dhe Ukrainë-tha Campbell – ajo që duhej të bënte UEFA ishte t’u vinte ultimatum këtyre dy vendeve për të zgjidhur problemet e brendshme të tyre”.
Ndërkohë, javën e kaluar presidenti i UEFA, Mishel Platini në një intervistë për Reuters tha se ishte optimist për Euro 2012 dhe se nuk do të ketë thirrje raciste në Poloni dhe Ukrainë. Ndërsa në një komunikatë për shtyp, UEFA thekson se nëse në ndeshjet që do të luhen gjatë Euro 2012 do të shfaqet dhunë, atëherë do t’i takojë arbitrit që të vendosë për ndërprerjen e tyre.
Top Channel