ROLAND QAFOKU – Lajmi për heqjen e licencës për një vit universitetit
“Kristal” nuk kishte si të mos kalonte me bujë jashtë e brenda
universitetit, por edhe jashtë e brenda Shqipërisë.
Në momentin që vendimi i Ministrisë së Arsimit ishte bërë publik, rastësisht isha në Itali në një konferencë ndërkombëtare të turizmit dhe nuk mund ta hiqnim nga biseda edhe këtë temë mes kolegësh gazetarë. Kur ia transmetova këtë vendim një kolegu nga shteti fqinj, më bëri përshtypje se ai nuk shprehu habi. Për të, ky vendim nuk është një hata, pasi, sipas tij, ka plot raste të tilla në historinë e Italisë dhe pas një periudhe, licencat janë rikthyer si më parë. Sot këto universitete dhe tërë Italia ka një sistem nga më të mirët universitarë në botë.
Në atë moment, m’u kujtua se Universiteti i Bolonjës është më i vjetri në botë, është themeluar diku në vitin 1200, por ama ai nuk është universiteti më i mirë në botë, madje as në Itali. Shumë ujëra kanë rrjedhur që nga ajo kohë për këtë universitet, por një pjesë e gjeneratave që kanë kaluar aty që nga thellësia e shekujve e deri më sot, kanë bërë deri historinë e Italisë.
Kalojmë më tej: Universiteti i Harvardit në SHBA është ai që është më i miri në botë dhe jo thjesht se lihet të kuptohet, porse herë pas herë bëhen testime si ai i vitit 2004, kur 1 mijë shkencëtarë nga e gjithë bota votuan unanimisht universitetin në fjalë. Por Harvardi na duket si Himalaja e mësimdhënies, në krahasim me atë që bëjmë ne në Shqipëri. Mjafton të bëjmë një krahasim të vogël: buxheti i një viti i Universitetit të Harvardit është 30 miliardë dollarë, ndërsa vetëm i shtetit shqiptar në vitin 2012 është rreth 4 miliardë dollarë!!!
Çdokush që lexon këto dy shifra do t’i dalin sytë nga orbita, do të kuptojë se sa të vegjël jemi, sa prapa jemi dhe ngre një pyetje të natyrshme: si mund të na shkojë ndër mend të krahasohemi me botën?
Ndërsa universiteti “Kristal” ka vetëm pesë vjet jetë dhe na e do mendja se Harvardi amerikan nuk kishte këtë cilësi që ka sot, atëherë kur në 1641 mbushte pesë vjet jetë.
Të gjitha këto i kam parashtruar me një arsye të fortë. Nuk më takon dhe nuk merrem me rastin e diplomës “Bossi”, e cila u shndërrua në një lëndë të parë gati për këdo në Shqipëri. Ajo është një çështje e drejtësisë dhe e Ministrisë së Arsimit dhe as unë dhe askush nuk mund të gjykojë, paragjykojë dhe kundërshtojë, pavarësisht vendimit të tillë, të parin e këtij lloji në vendin tonë.
Ajo që për këto ditë më ka ardhur në mendje krejt natyrshëm ka qenë sjellja që ka pasur shoqëria shqiptare në këtë drejtim.
Kemi qenë dëshmitarë të hanxharëve dhe sëpatave të ngritura sapo skandali “Bossi” doli në sipërfaqe. Dukej hapur që një pjesë mezi e pritën që diçka të shpërthente nga ky universitet e pasi shpërtheu, ata mprehën armët e ftohta. Ishin xhelozë, konkurrentë, keqdashës, kjo nuk kishte rëndësi. Ata thjesht kanë përfaqësuar skalionin e parë të orkestrimit të një fushate antiKristal, që i ngjante inkuizicionit.
Grupimi i dytë ishin ata që dolën në media me shkrime pa fund, që nuk kursyen të ngulni gozhda në mure, me mbishkrime që një zot e di nga frymëzoheshin. Mes tyre kishte nga ata që edhe vetë skandalin nuk e njihnin, por kishin zellin dhe ishin të etur të gozhdonin në kryq një universitet të tërë, ndërkohë që nuk e kishin bërë këtë lloj kryqëzimi as për kriminelë, as për terroristë e as për skandale miliarderësh në kampin e politikës, që u kishin kaluar përpara hundës së tyre.
Grupimi i tretë ishin pa dyshim biznesmenë të frymëzuar nga dikush në numrin shumës, që groposjen e tjetrit e kanë në mendje dhe zemër. Publikisht apo jo, ata thjesht pasi u kënaqën se konkurrenti i tyre po pësonte një dëmtim, gjykuan dhe sulmuan pa e menduar rregullin e artë të Biblës, se një ditë do të të gjykojnë me të njëjtën mënyrë që gjykove ti vetë të tjerët.
Grupi i katërt kanë qenë titullarët e universiteteve të tjerë jopublikë. Vetëm kur kaloi njëfarë kohe nga histeria e sulmeve, e kuptuan se në këtë vorbull nuk ishte vetëm “Kristal” dhe se duke u goditur ky institucion jopublik, në njëfarë mënyre ishin goditur edhe ata. Ose më mirë akoma, ishte goditur i gjithë rrjeti i universiteteve jopublikë. Të gjithë jemi koshientë që, nëse bëhen verifikime të imtësishme, e keqja gjendet në shumë universitete homologë.
Por kjo më kujton atë batutën në filmin “Shtigje Lufte”: Hë, hë, me vonesë, delegatët ikën.
Grupi i pestë ishin ata që u përpoqën të ishin racionalë. Një prej tyre ka qenë edhe kolegu Mustafa Nano. Një analist që sa herë që shkruan, duket sikur e ngjyen penën në acid, këtë herë me shumë të drejtë, ishte shumë i kujdesshëm, i përmbajtur dhe konciz, duke dhënë për këtë argumentet e tij pa fund. Flasim për një analist që nuk ia përton kujt t’i shkarkojë gjithë energjitë dhe artin e tij të akuzatorit, nëse është i bindur se aty ka diçka të jashtëligjshme, të rëndë dhe skandaloze. Shkrimi i Muçit pak a shumë përkthehej se drejtësia duhet të bëjë punën e saj, ndërsa ne nuk duhet të hedhim baltë pa ditur mirë se çfarë ka ndodhur në këtë universitet.
Grupi i gjashtë në fakt nuk kishte asnjë përfaqësues. Për ditë të tëra personalisht kam pritur që aksh gazetë dhe televizion të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme reale për universitetin “Kristal”. Jo për shkak të reklamave milionere që marrin në një vit kalendarik. Por për shkak të atyre që dinë më mirë se të tjerët për universitetin në fjalë. Më keq akoma, për disa të tjerë. Ku ishin ata pedagogë që kanë dhënë dhe japin mësim në këtë universitet, të brendshëm dhe të jashtëm? Ku ishin ata profesorë, doktorë e intelektualë të masterizuar që ia kanë parë mirë hajrin universitetit “Kristal” sa herë që kanë dhënë qoftë edhe një herë të vetme leksioni apo kanë qenë pjesë e konferencave dhe studimeve shkencore, duke qenë partner me këtë universitet. Si nuk doli një xhanëm të thoshte se çfarë bëhej në orën e mësimit. A bëhet mësim i rregullt, sa ishte prezenca, si është cilësia dhe fundja, a kishin dhënë ata Ok për një diplomë joreale? Duket se më shumë se kjo, u ka interesuar shëndoshja e llogarisë bankare.
Ku ishin ata shkrimtarë, sociologë, juristë, historianë, analistë e gazetarë që kanë hyrë e kanë dalë në këtë universitet, në laboratorët e tij që nuk i ka kush, që janë krekosur duke mbajtur konferenca shkencore kombëtare, rajonale e ndërkombëtare apo kanë promovuar libra, duke përdorur pikërisht logon dhe ambientet e këtij universiteti? Si nuk foli kush një fjalë, si nuk tha diçka për atë që kanë bërë aty? Përgjigjen mund ta japin vetëm ata.
E kam thënë edhe në krye të herës: Universiteti “Kristal” nuk është vetëm diploma e Enzo Bossi-t, çfarëdo të rezultojë ajo. Universiteti “Kristal” janë ata 7 mijë e 500 studentë në vit që vijnë dhe shkollohen aty. Janë ato ambiente që krijojnë të vetmin dhe të parin kampus real universitar në Shqipëri. Një universitet që në rrugën e tij të gjatë i duhet të kalojë sfida që të gjithë duhet t’i kalojmë. Por ama është e pamoralshme që ky universitet të njolloset e të damkoset, si të ishte një vend i zi. Të mos harrojmë, është një universitet dhe rritja e tij i ngjan kujdesjes prej të munduari të barit në lëndinë. Që të jetë jeshil dimër e verë i duhen vite e dekada të arrihet deri këtu, se janë barërat e këqija që nuk e lënë rehat.
Është një rrugë e gjatë dhe … duket se ka lindur për këtë rrugë.
Top Channel