Një fund-sezon për t’u harruar ky për sulmuesin serb, Adem Ljajiç. Futbollisti, pas grushteve të pësuara nga ish-trajneri i tij tek skuadra e Fiorentinës, Delio Rossi, tashmë humb edhe vendin e tij në kombëtaren serbe.
Vendimi për ta larguar nga kombëtarja është marrë nga trajneri i ri i serbëve, Sinisa Mihajloviç, pasi Ljajiç refuzoi të këndonte himin serb para nisjes së takimit me Spanjën, ndeshje e fituar nga iberikët me rezultatin 2-0.
Mihajloviç është i emëruar së fundmi në krye të skuadrës kombëtare serbe, duke vendosur disa rregulla strikte për lojtarët, një ndër të cilat është këndimi i himnit nga të gjithë para cdo takimit.
Vendimi i trajnerit ka marrë mbështetjen e plotë të federatës serbe të futbollit, e cila në një deklaratë për mediat shprehet se largimi i Ljajiç nuk është përfundimtar, por ai duhet të “ndërrojë mendje përsa i përket respektimit të rregullave. Kur të ndodhë kjo, mund të kontaktojë në telefon me trajnerin Mihajloviç e të rikthehet në kombëtare”.
Nga ana e tij, Adem Ljajiç ka sqaruar se nuk e këndon himnin serb për arsye personale. Futbollisti 20-vjeçar i takon besimit fetar musliman, lindur e rritur në rajonin e Sanxhakut, një rajon me shumicë muslimane pranë kufirit me Kosovën.
Top Channel