Kryeministri Sali Berisha akuzon kreun e opozites Edi Rama se përmes
paketës së kerkesave si kushte për zgjedhjen e presidentit kërkon
bllokimin e procesit.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se Rama nuk ka qëllim të zgjedhë presidentin dhe as statusin e vendit kandidat, por vetëm rrezimin e qeverise. Sipas tij, Rama është i shtrënguar të ndjekë linjën politike të klubit të miliarderëve të Partisë Socialiste.
Pjesë e fjalimit të Berishës në mbledhjen e grupit të PD-së
“Në takimin me LSI-në, pati vendosmëri të plotë për t’i qëndruar marrëveshjes dhe vlerësim i madh për marrëveshjen qeverisëse të shtatorit 2009, që ekziston midis dy forcave tona politike. Referim i qartë në nenin e saj që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Shqetësimi ynë dhe i aleatëve tanë është pse jo t’i japim vendit jo një president pazaresh, por përkundrazi një personalitet të besuar nga shqiptarët. Mbi këtë bazë, me këto qëllime ne ju drejtuam Partisë Socialiste, jashtë çdolloj paragjykimi apo tendence për ta shndërruar kandidaturën e Presidentit në një plaçke tregu.
Në vend të përgjigjes me shkrim, Edi Rama nisi editorialin e radhës, në të cilin betohet solemnisht, se do të rrëzojë këtë qeveri me çdo kusht dhe se rrëzimi dhe vetëm rrëzimi i qeverisë është problemi kryesor i këtij vendi dhe i Edi Ramës, sipas tij, është zgjedhja e Presidentit dhe çdo gjë duhet të jetë në funksion të rrëzimit të qeverisë.
Pasi bllokoi dy vite me radhë statusin e vendit kandidat, pasi organizoi sulmin me dhunë ndaj Kryeministrisë dhe përpjekjen për përmbysjen e qeverisë me dhunë, tani dëshmon se ka vetëm një qëllim madhor, rrëzimin e qeverisë po pati mundësi dhe që s’e realizon dot, gjë të cilën ka dy vjet që i mashtron bashkëpunëtorët e tij, se rrushi do të piqet në pranverë, do piqet në vjeshte…po rrushi i tij mbeti i papjekur.
Çfarë do të sjellë takimi me mua për imunitetin? Nuk e ka problemin me Sali Berishën, e ka problemin me klubin e miliarderëve të Partisë Socialiste. Një axhendë bën me faktorin ndërkombëtar, tjetrën e bën me miliarderët këtu. Kjo është e vërteta. Atëherë çfarë është kjo? Kjo është vetëm qëndrim bllokues.
Apeli im është shumë i sinqertë. I bëj apel zotit Rama, në interesin më të mirë të vendit, le të angazhohemi për t’i dhënë Shqipërisë një president të besueshëm, një president, i cili u fakton shqiptarëve se dinë të qëndrojnë mbi forcat politike. Oferta e ime dhe e koalicionit qeverisës është shumë e sinqertë dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në negociatat më serioze, po jo në kurthe meskine si këto dhe ultimatume vetëm e vetëm për të bllokuar. Rama ka tre vjet që i mban me injeksione ata që e rrethojnë se ‘do e rrëzojmë sot dhe nesër këtë qeveri’. Përgatitu se me këtë politikë që ndjek edhe në vitin 2017 do të kesh këtë qeveri, nëse vazhdon kështu”.
PS: Paketa jonë jo bllokuese
Deputeti Sajmir Tahiri, si pjesë e grupit negociator të opozitës për diskutimet për çështjen e presidentit, reagoi lidhur me deklaratat dhe akuzat e kryeministrit Berisha bërë të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Në një prononcim për mediat, Tahiri theksoi se katër pikat e paraqitura nga PS nuk përbëjnë një ultimatum, por një kusht të domosdoshëm të parashtruar nga BE për integrimin.
“PS ka paraqitur paketën e vetë me 4 pika, që s’janë një ultimatum. Nëse bëhet fjalë për një të tillë, ky është ultimatumi që i rri mbi kokë qeverisë nga BE për shkak të integrimit. Të katër pikat, reforma zgjedhore, reforma parlamentare, heqja e imunitetit dhe zgjedhja e një presidenti konsensual, janë 4 çështje madhore që kërkojnë zgjidhje të bashkërenduar e konsensuale për të mundësuar kalimin e provimit të vjeshtës për marrjen e statusit të kandidatit për në BE”, deklaroi Tahiri.
Meta: Presidenti i ri me 84 vota
Ndryshe nga aleati i tij, kryeministri Sali Berisha që ngulmon për një kandidaturë presidenciale nga mazhoranca, Ilir Meta ka ripërsëritur qëndrimin e LSI për një president përtej mazhorancës dhe gadishmërinë e partisë së tij për të propozuar një apo më shumë kandidatura.
“Duhen konsumuar gjithë përpjekjet pozitive për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë e të plotë me raundin e parë, me një mazhorancë më të gjerë se ajo që qeveris. Duke parë edhe dëshirën e PD për të paraqitur emra, ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë me PD dhe forca të tjera politike, përfshirë opozitën”, ka deklaruar Meta.
Kjo është përgjigjia që dha zoti Meta kur u pyet nga Top-Channel nëse do t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së socialistëve për një tryezë të kryetarëve të partive parlamentare, ku tre prej katër propozimeve lidhen me integrimin, një prej kolonave të filozofisë politike të LSI-së.
“Për një kohë të gjatë ne kemi kërkuar dhe investuar për t’i zgjidhur të treja çështjet. Kemi tre ditë kohë për të bërë një zgjidhje që në raundin e parë dhe nëse kjo çështje zgjidhet në mënyrë pozitive të mërkurën, tre çështjet e tjera do të zgjidhen me më shumë lehtësi”, ka theksuar Meta.
Pavarësisht parashikimeve se seanca e parë e votitimit për presidentin e ri të mërkurën duket e dështuar, Ilir Meta ngulmon se në këtë raund duhet të zgjidhet presidenti me 84 vota dhe jo thjesht një konsumim i seancës për të përmbushur një detyrim kushtetues.
Top Channel