Bastet, valë arrestimesh në Itali

28/05/2012 00:00

Stefano Mauri, kapiteni i Lazios, është arrestuar në një operacion policor mbi bastet në futbollin italian. Së bashku me të është arrestuar edhe Omar Milanetto, ish-futbollist i Genoas, aktualisht lojtari i Padovës në Serinë B.

Gjithsej janë ndaluar 19 persona, 10 prej të cilëve janë ish-lojtarë të Serisë A, B dhe Ligës Pro, ndërsa nën hetim janë trajneri i Juventusit Antonio Conte dhe mbrojtësi i kombëtares italiane Domenico Criscito.

Sipas mediave italiane, Mauri dhe Milanetto ishin të gatshëm që në këmbim të parave të trukonin rezultatin e ndeshjeve të skuadrave të tyre. Janë verifikuar edhe disa kontakte mes lojtarëve dhe eksponentëve të organizatave kriminale.

Arrestimet janë urdhëruar nga prokurori i Gjykatës së Kremonës, Guido Salvini, në kuadër të hetimit “Last Bet”, i koordinuar nga prokurori Roberto Di Martino që në qershor dhe dhjetor të vitit të kaluar ka arrestuar edhe disa persona të tjerë.

Operacioni i së hënës në mëngjes është kryer nga efektivët e policisë së Kremonës, Breshias, Alesandrias dhe Bolonjës.

Avokati: Conte nuk ka lidhje me bastet

“Reagimi i Conte është ai i një personi që nuk ka aspak lidhje me këtë ngjarje dhe është i vendosur të tregojë pafajësinë e tij.”

Ky është komenti i Antonio De Rencis, avokatit të trajnerit të Juventusit i cili hetohet për bashkëpunim në mashtrim sportiv në kuadër të skandalit të basteve që ka shpërthyer në Itali dhe që ka çuar në arrestimin e 19 personave, mes të cilëve edhe kapitenit të Lazio, Stefano Mauri.

Criscito humb EURO 2012

Ndërsa agjenti i Domenico Criscito, mbrojtësit të kombëtares italiane, i cili gjithashtu hetohet për përfshirje në skandalin e basteve, theksoi për mediat italiane: “Criscito është shumë i qetë. Është i gatshëm të sqarojë gjithçka sa më shpejt të jetë e mundur dhe po mundohemi që të dëgjohet nga Prokuroria sepse do të ishte mëkat që të humbte kampionatin europian dhe pas 15 ditësh të dilte se ai nuk ka pasur fare lidhje me këtë çështje.”

Por, Federata Italiane e Futbollit ka vendosur të lërë jashtë kampionatit europian mbrojtësin pasi të hënën policia u paraqit në hotelin ku ishin të grumbulluar futbollistët e kombëtares “axurre” për t’i bërë me dije lojtarit të Zenitit se ishte nën hetim për skandalin e basteve.

Njoftimin e dha Demetrio Albertini, shefi i delegacionit të kombëtares së Italisë për Euro 2012, gjatë një konference shtypi për mediat italiane në Coverciano.

“Euro 2012 nuk duhet të jetë në këtë moment objektivi i Criscito. Fillimisht duhet të sqarojë pozicionin e tij në skandalin e basteve”, deklaroi Albertini.

Cesare Prandelli, trajneri i Italisë, e kishte përfshirë mbrojtësin e majtë në listën paraprake të 32 lojtarëve dhe ishte një futbollist që konsiderohej si një nga titullarët e mundshëm në formacion.


Një shqiptar i përfshirë

Një foto e Domenico Criscito është publikuar nga mediat online në Itali ku duket futbollisti në një takim me Safet Altic, një boshnjak që tashmë është në burg. Në takimin e 10 majit 2011 kanë qenë të pranishëm edhe Giuseppe Sculli (në atë kohë lojtar i Lazio) dhe një shqiptar me emrin Kujtim Qoshi, i lidhur me Altic.

Sipas hetuesve, takimi është zhvilluar në një restorant të mbyllur në Xhenova, 4 ditë para ndeshjes Lazio-Genoa e përfunduar me rezultatin 4-2. Kjo mbledhje është bërë për të planifikuar bastet dhe grumbullimin e parave që do të investoheshin në ndeshjen e trukuar.

Top Channel