Aksi kombëtar Kardhiq – Delvinë ka nisur punimet në dhjetor të vitit
2007. Sipas tabelës së punimeve e vendosur në krye të rrugës në Kardhiq,
loti i parë duhej të kishte përfunduar në prill të vitit 2009.
Banorët e zonës dhe përfaqësuesit e komunës bëjnë me dije se punimet në fakt janë ndërprerë prej më shumë se një viti, ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur vetëm ndërhyrje të vogla për të shpëtuar banesat e kërcënuara prej rrëshqitjes së dherave.
Ndërkaq firmat përgjegjëse për përfundimin e punimeve, tri të tilla duket se nuk kanë dhënë sqarimet e nevojshme për ndërprerjen e tyre. Përfaqësuesi i komunës Cepo prej nga nis rruga, Kastriot Hamzai thotë se kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me firmat ndërtuese por nuk dihen arsyet e ndëprerjes së punimeve.
Rreth 5000 banorë të komunës Cepo do të përfitonin prej rrugës nacionale që pritej të kalonte pranë 8 fshatrave të kësaj komune. Por në fakt rruga e cila duhej të kishte përfunduar 3 vjet më parë po sjell vetëm problem për këta banorë. Rrëshqitja e dherave mbi aks dhe masivet e gurëve pothuajse kanë mbyllur edhe pjesën e përfunduar të aksit. Ndërsa përfitimi madhor i saj shkurtimi i rrugës drejt Sarandës duket se është ende shumë larg.
Top Channel