Thiago Silva ka siguruar tifozët e Milanit se nuk ka aspak ndërmend të largohet nga kuqezinjtë dhe se drejtuesit e klubit i kanë thënë që nuk duan ta shesin.
Në një intervistë të publikuar të dielën në ‘La Gazzetta dello Sport’, mbrojtësi brazilian i mbyll derën çdo mundësie transferimi tek Manchester City apo Barcelona, dy nga klubet e interesuara për të sipas gazetës sportive italiane.
“Jam i lumtur tek Milani dhe dua të qëndroj në Itali. Kam folur me Gallianin dhe më ka siguruar që do të vazhdoj karrierën me fanellën kuqezi. Unë i thashë që nuk kisha nevojë për siguri sepse Milani është shtëpia ime dhe ato që shkruhen nëpër media nuk kanë aspak rëndësi”, theksoi qendërmbrojtësi, i cili aktualisht konsiderohet një nga më të fortët në botë.
Ekipi i Silvio Berlusconi ka blerë Thiago Silva-n në vitin 2009 nga Fluminense dhe brenda pak kohësh braziliani u shndërrua në një element thelbësor të kuqezinjve.
Top Channel