Miqësoret, zhgënjen Gjermania dhe Hollanda

27/05/2012 00:00

E shtuna ishte e mbushur me ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjeve të skuadrave për europianin që do të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni.

Surpriza e ditës ishte humbja me goleadë e Gjermanisë ndaj Zvicrës. Favoritët për fitoren e Euro 2012 u mundën 5-3. Derdiyok me 3 gola ishte ylli i takimit, ndërsa 2 golat e tjerë për zviceranët u shënuan nga Lichsteiner dhe Mehmedi. Për Gjermaninë shënuan Hummels, Schurrle dhe Reus.

Spanja, kampione në fuqi e Europës, ka mundur me rezultatin e pastër 2-0 Serbinë. Adrian dhe Cazorla me 11-metërsh ishin autorët e golave për iberikët.

Edhe Hollanda, një tjetër favorite, u mund 2-1 nga Bullgaria. Van Persie shënoi golin për “Tulipanët”, ndërsa Popov dhe Micanski shënuan për bullgarët.

Roy Hodgson e ka nisur mbarë aventurën e tij me Anglinë duke fituar ndeshjen e debutimit në stolin e “Tre Luanëve” duke mundur Norvegjinë me rezultatin e ngushtë 1-0. Ashley Young ishte autori i golit të vetëm të takimit.

Portugalia nuk shkoi dot më shumë se barazimi 0-0 ndaj Maqedonisë. Irlanda fitoi 1-0 ndaj Bosnjes, ndërsa Brazili mundi 3-1 Danimarkën.

Top Channel