Andrea Stefani – Titujt optimistë të gazetës “RD” për unitetin e koalicionit qeverisës nuk fshehin dot çarjen mes Berishës dhe Metës për çështjen e presidentit.
Në mbyllje të takimit me Kryeministrin Meta deklaroi se vullneti i duhur mund të sillte një ose më shumë emra të pranueshëm më gjerë se shumica aktuale në Parlament. Është një deklarim që nënvizon edhe problemin qendror: A ekziston vullneti politik i duhur për të zgjedhur një president të pranuar nga të gjithë? Shihet qartë se një vullnet i tillë nuk ekziston, në radhë të parë, te vetë Kryeministri Sali Berisha. Por vështirësia për Berishën qëndron te fakti se prapa kërkesës së Metës për një president të pranueshëm “më gjerë se mazhoranca aktuale” qëndrojnë, me shumë gjasa, ndërkombëtarët. Për rrjedhojë, Berisha do përpiqet që gjithë ky proces negociatash për një president konsensual, të shndërrohet në një mjet për trukimin e mungesës së vullnetit për president konsensual. Dhe kush dyshon se Berisha do të jetë deri në fund, kundërshtari më i rreptë i një presidenti të të gjithëve, injoron jo vetëm tendencën mbi 20-vjeçare të Berishës për të kapur të gjitha pushtetet, por edhe vetë deklarimet e tij për një president të dalë nga figura të larta të PD. Edhe çka ai tha pas takimit me Metën, qe një spërdredhje e një njeriu të zënë në çark: “U ra dakord plotësisht që të bëhet çdo përpjekje në mënyrë që Presidenti i Republikës të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm”, tha Berisha. Një deklaratë me shumë rrena brenda dhe që përpiqet të maskojë qëllimet e vërteta të Berishës. Sepse nga ato që tha Meta, shihet se nuk është rënë dakord për asgjë dhe kuptohet se Berisha do përpiqet që të arrijë me çdo mjet një “konsensus” për një president të Berishës. Konfirmohet përfundimisht se nëse ka një faktor që e pengon “konsensusin më të gjerë të mundshëm” për presidentin, është pikërisht Berisha me gjakimin e tij autokratik. Nëse ka ndonjë faktor pengues për zgjedhjen e një presidenti konsensual që në raundin e parë, ky faktor është pikërisht Berisha. Kryeministri i është futur negociatave vetëm që të krijojë një alibi dredharake sikur nuk është ai pengesa kryesore për presidentin konsensual, sikur po përpiqet, por se janë të tjerët ata që do ta detyrojnë, më në fund, të zgjedhë president pa dëshirë, por i detyruar nga “Kushtetuta”, një delfin të tijin për të shpëtuar Atdheun nga “qameti” i zgjedhjeve të parakohshme”.
Si bëhet e mundur zgjedhja e një presidenti të pranuar prej të gjithëve? Shumë thjesht. Do mjaftonte që Berisha të hiqte dorë nga gjakimi i tij kronik për kapjen e shtetit. Dhe meqenëse kjo është e pamundur, atëherë edhe konsensusi për Presidentin është i pamundur. Por është një e keqe e madhe sepse, krejt në kundërshtim me pretendimet e mazhorancës berishiste se Presidenti nuk është një kusht për integrimin, këmbëngulja e ndërkombëtarëve për një president konsensual flet për të kundërtën. Është më shumë se kusht, është standard. Jo rastësisht, ambasadori danez, Jensen, deklaroi se 5 vitet e ardhshme të integrimit europian të Shqipërisë lidhen ngushtë me personin e Presidentit. “Një zgjedhje e gabuar – tha Jensen – do të thotë vonim i Shqipërisë për t’iu bashkuar familjes europiane”. Kush do të ishte zgjedhja e gabuar? Pikërisht ajo që lakmon Berisha, që presidenti të ishte një delfin i Kryeministrit që u bindet urdhrave të tij. Kjo do të thoshte një rrënim edhe më i thellë për atë që është themelore për një shtet europian: ndarjen e pushteteve. Presioni që po ushtrohet nga ndërkombëtarët që një e keqe e tillë të mos ndodhë është thuajse evident. Duket se Meta i është bashkuar këtij skenari të skicuar nga të huajt. Prandaj ka nisur të ushtrojë presion mbi Berishën. Prandaj i ka kërkuar që të bien dakord për një president me një miratim më të gjerë se ai i mazhorancës ekzistuese. Gjë që bie ndesh me deklarimet dhe gjakimin e Berishës për të zgjedhur president një figurë të lartë të PD. Dhe Kryeministri nuk mund të mos shkaktojë humor kur shton se presidenti duhet të jetë një figurë “serioze”! Sepse rreziku nuk është se mund të zgjidhet ndonjë figurë karagjoze por se mund të zgjidhet një figurë seriozisht e rrezikshme për demokracinë sa më e varur të jetë ajo nga Kryeministri. Berisha ka nisur një lojë me fjalë që shfaqet shumë vulgare dhe kundërthënëse kur vlerësohet pak më thellë, në rrafshin konceptual. Kështu, duke refuzuar takimin me Ramën, ai deklaroi që më shumë se forma ka rëndësi përmbajtja. Ndërkaq, gjithë gjakimi i tij për të zgjedhur president vetëm me 71 vota një njeri të vetin, bazohet në të kundërtën, në mbivlerësimin e formës mbi përmbajtjen, të germës së Kushtetutës mbi frymën e saj. Një provë tjetër se ajo që ka rëndësi për Berishën është vetëm pushteti. Presidenti i të gjithëve i duhet shtetit. Por Berishës i duhet një president për pushtet dhe jo për shtet.
Berisha nuk ka pse stërbetohet se duhet bërë “gjithçka” që të gjendet konsensusi për presidentin. S’ka pse lodhet as duke gërmuar për të gjetur në radhët e oborrtarëve të tij në PD një figurë “serioze”. Mjafton të krasisë, një herë të vetme në jetën e tij, dëshirën për pushtet absolut, mjafton ta ndajë mendjen se e mira e demokracisë (por a mund të shqetësohet autokrati për demokracinë?) kërkon që presidenti të mos jetë një skllav i Kryeministrit, por një figurë që duhet të kufizojë pushtetin e Kryeministrit, dhe konsensusi arrihet që në raundin e parë. Duke gjykuar nga karakteri i Berishës nuk ka fare gjasa që kjo të ndodhë. Ndërsa sa për sy e faqe negocion për një president konsensual, do intensifikojë përpjekjet me anë pazaresh sa të fshehta aq edhe të pista, për të siguruar votat për Presidentin, por edhe për qeverisje edhe pa Metën dhe LSI. Kalbëzimi ekstrem i politikës ka krijuar shumë hapësira për shitblerje mandatesh nga deputetët. Pozita e vështirë ku ndodhet, mund ta shtyjnë Berishën deri edhe te pranimi i kandidaturave të vjetruara të politikës si p.sh. Fatos Nano. Edhe këto pazare do t’i justifikonte me maksimën makiavelike: rëndësi ka përmbajtja dhe jo forma, qëllimi dhe jo mjeti! Dhe dihet se qëllimi i Berishës nuk është integrimi, por sundimi, jo shteti, por pushteti. Një situatë ku ose Meta dhe LSI duhet ose të vazhdonin gënjeshtrën e integrimit me Berishën, ose duhet të braktisnin qeverinë e “integrimit”, që është sot pengesa e vetme e integrimit, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.
Top Channel