Për pak ditë nis kampionati europian i futbollit dhe ethet e tij kanë përfshirë miliona tifozë, në Europë e në mbarë botën. Kur ende s’është bërë shkelmimi i parë i sferës së rrumbullakët, gjithëkush (sipas metodave të veta) mundohet të bëjë një parashikim se kush do të jetë skuadra që do të ngrejë trofeun në fund.
Janë kompanitë e basteve, më pas duke respektuar traditën e vendosur gjatë botërorit të Afrikës së Jugut me oktapodin Paul, janë kafshët orakuj e në fund janë ata…matematikanët, staticienët që na japin “verdiktin” e tyre.
Një grup matematicienësh të universitetit të Insbrukut në Austri parashikojnë nëpërmjet modelit të tyre origjinal të përllogaritjeve të statistikave të pagëzuar me emrin “Buchmacher-Konsensus-Modell”, se skuadra fituese e Euro2012 do të jetë Spanja.
Po sipas përllogaritjeve të tyre, kampionët e botës në fuqi, do të kurorëzohen sërish kampionë të Europës duke mundur sërish Gjermaninë në finale.
“Spanja ka 25.8 përqind të mundësive për të fituar kampionatin dhe në finale do të ndeshet me Gjermaninë, që ka 22.2 përqind të mundësive për të fituar europianin”, deklaron Achim Zeileis, profesor i statistikës në universitetin e Insbrukut.
Sa i përket skuadrave të tjera, Holanda vlerësohet sipas matematicienëve austriakë me 11.3 përqind të mundësive, ndërsa Italia e Prandelli-t ka vetëm 5.9 përqind të shanseve për t’u shpallur kampione.
Në fakt parashikimi statistikor i grupit të matematicionëve austriakë nuk duhet injoruar totalisht po të kihet parasysh historiku që me të njëjtin model përllogaritjesh gjetën saktësisht fituesin e europianit të 2008-ës (Spanja) dhe të botërorit 2010 (sërish Spanja).
Megjithatë, vetë profesori Achim Zeileis deklaron se ende është shumë larg një parashikimi 100 përqind të sigurtë dhe se për këtë duhet pritur nisja e kampionatit dhe zhvillimi i disa ndeshjeve.
Top Channel