Olimpiada, Kelmendi garon për Shqipërinë

25/05/2012 00:00

Majlinda Kelmendi do të jetë kuq e zi në Lojërat Olimpike “Londra 2012”. Ajo do të përfaqësojë Shqipërinë. 

Xhudistja nga Kosova nuk mund të garojë me flamurin e Kosovës apo si sportiste e pavarur, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar hodhi poshtë këto dy mundësi. Lajmi për vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar është pritur me hidhërim në Kosovë.

Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, ka thënë për Top Channel nëpërmjet telefonit, se ky vendim është politik e diskriminues. Sipas tij duke e ditur që Federata e Xhudos së Kosovës është e pranuar ndërkombëtarisht dhe duke e ditur që Majlinda ka arritur normën olimpike, është pritur që do të ketë një vendim pozitiv, që do ta bënte Majlinda Kelmendin flamurtare të depërtimit të sportit kosovar në arenën ndërkombëtar.

“Po shihet që janë një organizatë që merren me politike e jo me sport”, u shpreh Kuka, duke shtuar se “falë Zotit që kemi shtetin amë dhe Majlinda do të prezantojë të gjithë shqiptarët, edhe Kosovën edhe Shqipërinë, por me flamurin kuq e zi”.

Ministri për Sport, Memli Krasniqi ka deklaruar pas vendimit nga Kebeku ku po mbahej mbledhja e KON-it, se “është shumë dëshpëruese se si vlerat sportive, respekti dhe pasioni për gara vazhdojnë të ndikohen nga politika, në rastin tonë. Është një mesazh i keq që u jepet rreth dy milionë qytetarëve, të gjithë atyre të rinjve dhe prindërve”.

Sipas zyrtarëve nga kabineti i ministrit Krasniqi, paraqitja e Majlinda Kelmendit me flamurin e Kosovës do të ishte një mundësi e jashtëzakonshme që sporti kosovar të thyente izolimin në të cilin ndodhet.

Ai thotë se do të mundohen të gjejnë ndonjë dritare që të ndryshojnë këtë vendim, në mënyrë që Majlinda të përfaqësoj shtetin e Kosovës, por gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të pakta.

Sidoqoftë, xhudistja nga Kosova, kohë më parë ka arritur normën olimpike. Ajo renditet e 5 në botë me 820 pikë, dhe deri më tani ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta