Cassano dhe Robinho, objektivat e Malaga

25/05/2012 15:15

Malaga është interesuar për mundësinë e blerjes së sulmuesve të Milanit Antonio Cassano dhe Robinho. ‘La Gazzeta dello Sport’ publikon se klubi spanjoll do të tentojë transferimin në Spanjë e të paktën njërit prej futbollistëve kuqezinj në merkaton e verës.

Cassano dhe Robinho kanë kontratë me Milanin deri në vitin 2014. Italiani përfiton një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon, ndërsa braziliani plot 6 milionë euro.

“Për momentin drejtuesit e Malagës nuk kanë shfaqur preferencë, por rroga më e ulët e Cassanos e bën atë më tërheqës”, shkruan gazeta milaneze.

Malaga kërkon të përforcojë ekipin në mënyrë që të bëjë një paraqitje sa më dinjitoze në Ligën e Kampioneve pas arritjes së kualifikimit për sezonin e ardhshëm në kompeticionin më të rëndësishëm europian.

Klubi me pronar arab përfundoi në vendin e katërt të kampionatit spanjoll falë investimeve të shumta, mes të cilëve lojtarë si Joaquin, Van Nistelrooy dhe Demichelis.

Top Channel