Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, theksoi të premten se seria e 11-metërshave pasi një takim përfundon në barazim e “çnatyralizon” futbollin dhe i kërkoi Franz Beckenbauerit të shikonte alternativa të tjera për të vendosur fituesin e një ndeshjeje.
“Kur ndeshja shkon me 11-metërsha futbolli e humb esencën e tij”, deklaroi Blatter në Kongresin e përvitshëm të FIFA-s në Budapest.
“Futbolli kthehet në tragjedi kur një ndeshje zgjidhet me penallti”, shtoi zvicerani.
Gjithsesi, presidenti i FIFA-s bëri të ditur se një zgjidhje e tillë është për të ardhmen.
Franz Beckenbauer është shefi i grupit të punës “Futboll 2014”, i krijuar për të bërë ndryshime në rregullat e futbollit.
Beckenbauer: Të thjeshtohet rregulli i pozicionit jashtë loje
“Rregullat e pozicionit jashtë loje janë shumë të ndërlikuara dhe duhen thjeshtëzuar”, u shpreh Franz Beckenbauer, kreu i “Futboll 2014”.
“Kemi një pozicion jashtë loje pasiv dhe një tjetër aktiv. Një arbitër në Spanjë ka një këndvështrim tjetër nga një arbitër në Islandë, kanë interpretime të ndryshme. Është shumë subjektiv interpretimi nëse një lojtar ka ndikuar apo jo në aksion”, shtoi ish-futbollisti gjerman.
Top Channel