Samiti informal i BE-së

24/05/2012 23:50

Darka jo zyrtare e krerëve të shteteve e qeverive të Bashkimit Europian u mbyll pas gati 6 orë bisedimesh, të cilat nuk mundësuan afrimin e qëndrimeve për bashkimin e borxhit të Eurozonës me projektin e eurobonove për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e punësimit.

Pas eksperiencës së tij të parë në këtë samit europian, Presidenti francez, François Hollande, rrëfeu për gazetarët habinë e tij për formatin e lodhshëm të tryezës, ku gjithëkush mund të flasë për orë të tëra pa prodhuar debat, ndërsa shtjelloi publikisht për plot 45 minuta propozimin e tij.  

Sipas Hollande, vendet e zonës Euro mund të ofrojnë bono, duke ulur kostot e huasë për vende të tilla si Spanja e Italia, por një gjë e tillë rrit kostot për Gjermaninë, vend që huazon sot me zero përqind interes, e  pozicioni i kancelares Angela Merkel për vazhdimin e masave shtrënguese dhe kontroll më të rreptë fiskal mbështetet nga Finlanda dhe Hollanda.  

François Hollande, Presidnet i Francës: “Meqënëse kemi një politikë të përbashkët buxhetore, ne mund të imagjinojmë edhe angazhimin në një politikë të përbashkët investimesh dhe eurobonot do të jenë instrument shtesë për investimet në Europë”.

Qëndrimit të socialistit francez Hollande, i bashkangjiten dhe kritikat publike të  politikanit të majtë gjerman Martin Shulz, President i PE,  ndaj kancelares së djathtë Merkel, me argumentin se politikat e ndjekura prej saj kanë çuar në rritjen e kostos së huamarrjes për vendet e tjera të zonës Euro, një pabarazi që sipas tij do të dëmtojë vetë Gjermaninë së shpejti.

Presidenti i Parlamentit Martin Shulz : “Kur kriza të mbërrijë në Gjermani, sepse restoja e vendeve të zonës Euro nuk është në gjëndje të konsumojë eksportet gjermane për shkak të barrës së interesit, kjo gjë do të ulë kërkesën për të mirat gjermane. Ndaj gjykoj se është në interesin e Gjermanisë të mendojë sesi t’a stabilizojë këtë situatë, veçanërisht në lidhje me pabarazitë mbi borxhin publik”.

Idea e euro-bonove kërkon së pari rritjen e kapitalit të Bankës Europiane të Investimeve, po BE nuk ka ende konsensus për të ndërmarrë hapa konkretë. Njësoj dhe për projektin e ri të bonove që ka të bëjë më mundësinë e investimit të inisiativës private me garanci nga BE.

Herman Van Rompuy, President i Këshillit të BEsë : “Askush nuk kërkoi zbatim të menjëhershëm. Kjo do të marrë kohë”.

Vendimet e para të BE-së në këtë drejtim priten gjatë takimit të qershorit. Për Greqinë mesazhi mbetet i njëjtë.     
Jose Manuel Barroso, President i Komisionit Europian:  “Ne do të qëndrojmë në krah të Greqisë, ndërsa Greqia mban angazhimet e saj. Të presim se çfarë do të thotë populli grek më 17 qershor. Ne nuk do t’i lejojmë vetes daljen nga shinat për shkak të atyre që nxisin skenaret spekulative”.

Më 17 qershor, Brukseli pret që në Greqi të zgjidhen ato forca politike të cilat do të garantonin vijimin e masave shtrënguese e reformave të nevojshme siç detyron plani i BE-së dhe FMN-së.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel