Rona: U frymëzova nga tragjedia e Himarës

23/05/2012 19:45

Rona Nishliu arriti të prekte në thellësinë e tyre shpritërat e shqiptarëve, me një paraqitje të shkëlqyer në gjysmëfinalet e Eurovisionit që po zhvillohet në Azerbajxhan.

Vajtimi personal i këngëtares së lindur në Mitrovicë, përkoi në një ditë zie kombëtare, duke e bërë këngën e saj “Suus” veçanërisht të ndjerë.

Siç dëshmoi në lidhje telefonike nga kryeqyteti azerbajxhanas, Baku, Rona mori frymëzim pikërisht nga tragjedia, ndërsa më zërin e saj shtangu dhe emocionoi të gjithë publikun prezent.

“Në radhë të parë, dua të shpreh ngushëllimet humbjen e studenteve dhe të qëndroj afër familjarëve të tyre në këtë moment të vështirë. Paraqitja ime ka qenë një dedikim për shpirtërat e tyre. Unë, në një ditë zie isha prezente në një skenë të madhe dhe prestigjioze, ku s’mund të bëja gjë tjetër veç të këndoja. Isha shumë e emocionuar”, tregoi 25-vjeçarja, që u shndërrua në një prej këngëtareve të pakta që fitoi duartrokitje që në mesin e performancës së saj.

“Për vetë llojin e këngës dhe stilim tim të të kënduarit, që e bën të domosdoshme përqednrimin e brendshëm në këngë, e kisha të pamundur të përqendrohesha tek publiku. Gjatë këngës, përqendrohem vetëm tek vetja. Pas paraqitjes, në ekipin tim u tha se kishte shumë duartrokitje dhe kjo pa dyshim që më bën të lumtur. Më vjen mirë edhe për komplimentat e shumta që kam marrë”.

Në vazhdim të intervistës së saj telefonike, Rona zbuloi se e gjithë paraqitja, dekori dhe veshja e saj në skenë u ideuan nga ajo vetë. “Veshja u bë në funksion të kësaj kënge. Gjej rastin për të falenderuar RTSH-në, që ka respektuar dëshirën time për veshjen apo ideimin e videoklipit e gjithçka tjetër. Kam qenë unë ajo që e i kam menduar kështu, në funksion të përformancës sime, duke qenë se edhe kënga është një rrëfim i jetës sime. Është një pasqyrim i asaj që kam dashur të njohë publiku ndërkombëtar, pas përshtypjeve që i kam dhënë publikut mbarëshqiptar”.

E pyetur për finalen dhe për risitë që mund të sjellë në ditën e madhe, të shtunën, Nishliu tha: “Nuk e kam vendosur nëse do të ndryshoj diçka apo jo. Sidoqoftë, do ta lë surprizë. Nuk e di kush mund të fitojë tjetër. Të gjithë këngët janë fituese në vendin e tyre, ndaj kanë secila të veçantat dhe meritat e tyre. Nuk e di me të vërtetë. Në finale do të nisim të tretët dhe i bëj thirrje shqiptarëve në diasporë, sepse ata brenda nuk mund të votojnë, që të thurrin kodin 03, pasi dalim të tretët në skenë. Sidoqoftë, vetë jam e përqendruar tek performance, pasi renditja përfundimtare do të ketë pak rëndësi”.

Vlerësimet për Ronën në Shqipëri

Në studion e “Pasdites”, tre të ftuar bënë vlerësimet e tyre për performancën e konkurrentes sonë në “Eurovision”. Agim Doçi, autori i tekseve të dy pjesëmarrëseve të tjera në festivalin europian të këngës, i këngëve të Anjeza Shahinit dhe Kejsi Tolës, vlerësoi: “Ne morën pjesë me Anjezën dhe kanë kaluar shumë vite që atë vend të merituar, vendin e gjashtë, e fituam që në pjesëmarrjen tonë të parë dhe pa kurrfarë lobimi. Herën e dytë, prapë pa asnjë lobing, merituam në 46 vende të Europës, vendin e 17. Është fakt se ne si Shqipëri kemi dërguar zëra brilant në “Eurovision”, si Frederik Ndoci, Ledina Çela, Olta Boka apo Juliana Pasha”.

Duke u përqendruar tek paraqitja në edicionin aktual, Doçi shtoi: “Jam dakord me vërejtjet që u bënë përse të shkojmë me një këngë qaramane në Azerbajxhan. Edhe unë kam qenë kritik dhe nuk bëj autokritikë, sepse shqipëria nuk kishte përse të qante. Por, “Suus” është një këngë për vehten e saj dhe Rona Nishliu e ka interpetuar në mënyrë realisht brilante”.

Vesa Luma, një këngëtare që ka dalë gjithashtu pjesë e së njëjtit format si Rona Nishliu, i “Etheve”, tregoi përjetimin e saj për këtë këngë. “ Jam ndierë shumë e emocionuar, për shumë arsye. Me Ronën ndamë të njëjtin kompeticion. Kemi bërë disa këngë bashkë, është një shoqe shumë e mirë, por jam shumë subjektive nëse flas për të. Na nderoi dhe u paraqit shumë mirë, na çoi në finale e jam e lumtur për të. Me mjetet e mia, kam bërë apel në të gjitha faqet e mia që të votohet nga diaspora për përfaqësuesen tonë. Gjithashtu, falenderoj shqiptarët e Shqipërisë që na kanë dhënë mundësinë që të shprehim talentin tonë në skenat e tyre”.

Nga ana e saj, Alma Mile, një gazetare e njohur e kulturës, foli me objektivitet rreth performancës së Nishliut. “Duhet thënë që kënga e Ronës nuk është shumë popullore, sepse nuk të bën për vete që me herën e parë që e dëgjon. Megjithatë, në festivalin e “RTSH”, kur e degjova në skenë më pëlqeu sepse krijon gjendje dhe emocion. Duhet kohë e gjatë të dëgjohet dhe të të bëjë për vete. Kënga e saj përkoi me një moment tragjik në historinë e shqiptarëve. Ishte një çlirim i dhembjes, që na dërgon në finale dhe edhe për këtë arsye, të gjithë duhet ta mbështesim. Të huajt e kanë vlerësuar zërin e saj dhe kjo është një prej këngëve të pakta të duartrokitura që në mesin e saj”.

Parashikimet për finalen, Shqipëria renditet e gjashta

Rona Nishliu çon Shqipërinë për të pestën herë në finalen e festivalit Europian të këngës, në “Eurovision”.

Një skenë e errët, ku dominonte ngjyra e kuqe me të zezë, e rrethoi përfaqësuesen shqiptare. 25-vjeçarja kishte veshur një fustan që i përshtatej stilit të saj me jakë të lartë, dhe një pelerinë blu mbi pantallona të zeza.

Performanca e Ronës u prit me entuziazëm dhe duarktrokijte të forta nga publiku, i cili shpërtheu në ovacione edhe gjatë interpretimit. Kualifikimi për në finale bëri që komentet të jenë mjaft pozitive për këngëtaren nga Mitrovica.

Në prag të finales së “Eurosong”, parashikimet e publikuara në blogjet e internetit, e kanë radhitur Rona Nishliun në vendin e gjashtë. Blogu “wiwibloggs.com” e radhit përfaqësuesen e Shqipërisë në vendin e gjashtë me 830 vota. Sipas sondazhit të publikuar në këtë faqe interneti, favorite kryesor e “Eurovisionit” është Suedia që përfaqësohet me këngën “Euphoria” nga Loreen.

Në vendin e dytë radhitet Rumania me “Zaleilah”, të interpretuar nga Mandinga, ndërsa i treti sipas këtij sondazhi është përfaqësuesi i Serbisë, Zeljko Joksimovic, me këngën “Love isn’t an object”.

Kush voton për Shqipërinë?

Në vitin 2004, Shqipëria për herë të parë mori pjesë në Eurovizion. Anjeza Shahini, me këngën “Imazhi yt” e rënditi Shqipërinë të shtatën mes 24 vendeve.

Por, kush i dha Shqipërisë pikët kryesore? Maqedonia e votoi maksimalisht me 12 pikë, e ndjekur nga Greqia dhe Malta nga 10. Surpizë ishte Serbia që e vlerësoi Anjezën me 8 pikë, ndërsa shqiptarët e Suedisë dhe Zvicrës me sa duket detyruan këto vende të japin nga 7 pikë.

Në 2005, Ledina Çelo duket se ka të njëjtat vende që e votojnë ashtu si Anjeza Shahini. Maqedonia sërish 12 pikë, Zvicra dhe Greqia nga 10, nuk mungon as Serbia me 8 pikë.

Olta Boka në 2008 rikthen Shqipërinë në finale pas 2 vitesh mungesë. Me sa duket janë sërish shqiptarët jashtë kufijve që i japin pikët më të shumta Shqipërisë. Maqedonia e vlerëson maksimalisht me 12 pikë, Greqia 10, Kroacia dhe Zvicra i japin nga 8 pikë dhe Mali i zi 7 pikë.

Kejsi Tola në 2009 nuk arrin të marrë nga asnjë shtet pikët maksimale. Por është Turqia që i jep 10 pikë, ndërsa Greqia, Maqedonia dhe Spanja vlerësuan me nga 7 pikë këngëtaren shqiptare.

Në vitin 2010, Juliana Pasha ruajti votat kryesore të marra nga paradhëset e veta. Maqedonia rikthehet duke i dhënë Shqipërisë pikët maksimale12. Greqia qëndron sërish ndër vlerësueset më të rregullta me 10 pikë, Zvicra 8, ndërsa Turqia dhe Islanda nga 7 pikë.

Këto janë pikët e marra nga përfaqësueset shqiptare në Eurovision të cilat në shumicën e rasteve duken si vota të marra nga emigrantët shqiptarë në Europë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA