Robben vërshëllehet nga tifozët e Bayern

23/05/2012 11:15

Bert van Marwijk, trajneri i kombëtares hollandeze të futbollit, dënoi trajtimin që i rezervuan tifozët e Bayern Munchen Arjen Robbenit në ndeshjen miqësore që Hollanda zhvilloi ndaj Bayern Munchen në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut, të martën në mbrëmje.

“Është skandaloze mënyra se si u trajtua Robben nga tifozët e tij. Shpresoj që nga kjo përvojë të dalë më i fortë”, theksoi tekniku i Portokallinjve për agjensinë hollandeze të lajmeve ‘ANP’.

Robben, i cili humbi 11-metërshin në kohën shtesë në finalen e Champions League që Bayern humbi ndaj Chelsea, u vërshëllye nga tifozët kur hyri në fushë në minutën e 77.

Mesfushori hollandez ishte objekt i vërshëllimave sa herë që prekte topin dhe kjo sjellje nuk i ka pëlqyer aspak edhe kapitenit të Hollandës, Mark van Bommel.

“Robben është një nga liderët e Bayern dhe askush nuk po e mbështet në këtë moment të vështirë. Nëse do të isha në vendin e tij do të rishikoja të ardhmen time në klub”, deklaroi ish-mesfushori dhe kapiteni i Bayern Munchen.

Edhe Wesley Snejder i ofroi mundësinë për tu transferuar tek klubi ku luan: “Arjen është i mirëpritur tek Interi nëse do të largohet.”

Arjen Robben vetëm para pak kohësh ka zgjatur kontratën me Bayern Munchen deri në vitin 2015 dhe hipoteza të tilla është vështirë të kthehen në realitet.

Bayern Munchen ka mundur kombëtaren hollandeze të futbollit me rezultatin 3-2 në ndeshjen miqësore.

Toni Kroos kaloi në avantazh
bavarezët në minutën e 16, por hollandezët kthyen rezultatin brenda tre
minutash me anë të Klaas-Jan Huntelaar dhe Luciano Narsingh, sulmues i
Heerenven.

Në minutën e 28 Nils Petersen barazoi rezultatin në 2-2.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra për shkak të zëvendësimeve të shumta nga të dy ekipet.

Katër minuta nga fundi, Mario Gomez shfrytëzoi një krosim të Frank Ribery për t’i dhënë fitoren ekipit gjerman.

Miqësoret e tjera të Hollandës në kuadër të përgatitjeve për Euro 2012
janë: ndaj Bullgarisë të shtunën, ndaj Sllovakisë (30 maj) dhe ndaj
Irlandës së Veriut (2 qershor).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA