Duke analizuar situatën e pronarit të një hoteli me 5 yje, vështirësitë e tij dhe këndvështrimin ndaj euros, “New York Times” përpiqet të tregojë se ç’mendim kanë grekët në përgjithësi për mundësinë e daljes së vendit nga unioni monetar.
Njerëzit nuk po depozitojnë më kursimet në bankë e madje po tërheqin edhe ato që kanë, thotë Tasos Ioanidhias, i cili zotëron hotelin luksoz “Belvedere” në ishullin Mikonos.
“Ata kanë frikë sepse nuk e dinë ç’mund të ndodhë me paratë e tyre nëse Greqia del nga eurozona e i kthehet dhrahmisë”, thekson Ioanidhias.
Shqetësimet se vendi mund të falimentojë apo të dalë nga zona e monedhes së përbashkët janë thelluar ndjeshëm që prej 6 majit.
Atë ditë, grekët ndëshkuan me votën e tyre partitë e mëdha e i dhanë terren të majtës ekstreme, kundërshtare e marrëveshjes prej 170 miliardë dollarësh të dorëzanisë.
Të paktën 80% e tyre e duan qëndrimin ne euro dhe këto kohë, nëpër zyra, dyqane e madje edhe klube nate diskutohet për një “dhrahmagedon” të vërtetë.
“Kthimi i dhrahmisë do të ishte një makth, sepse do të krijonte panik për bizneset e për njerëzit që duan të bëjnë tregti me Greqinë”, thotë Ioanidhia, rezervimet në hotelin e të cilit nisën të pakësohen para disa muajsh, ndërsa pas zgjedhjeve kanë rënë fare.
Megjithatë, sipas “New York Times”, largimi nga euro, edhe po të ndodhte, nuk do të ishte kaq i shpejtë. Përkundrazi, orkestrimi i tërheqjes së Greqisë mendohet si një proçes i gjatë e i vështirë.
Gjetja e një plani B nuk është e lehtë për bizneset greke, sidomos ato të vogla. Shumë nuk dinë si të përballen me situatën kur ekonomistët llogarisin një zhvlerësim të dhrahmisë nga 50 deri në 70% kundrejt euros.
“Si mund të përgatitesh për apokalipsin. Nëse Greqia del nga euro, për mua s’do të ketë më punë”, thotë pronari i “Alfasolid”, një kompani e vogël zhvillimi softwaresh.
Top Channel