Komunitetet rome në vendet e Europës Perëndimore përballen me nivele të njëjta diskriminimi si në vendet ballkanike brenda e jashtë BE-së, vlerësoi një studim i ri i realizuar nga Bashkimi Europian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Publikimi i të dhënave u bë ditën e mërkurë, pasi vlerësimit të gjendjes së 22 203 romëve, në 11 vende të BE-së me përqendrim të lartë të komunitetit rom.
Sipas raportit, gjendja e kësaj popullate është më e keqja midis pakicave që jetojnë në BE, përsa i përket të ardhurave, edukimit, strehimit dhe gjendjes shëndetësore.
Ioannis Dimitrakopoulos, i Agjensisë Europiane për të Drejtat Thelbësore të Njeriut deklaroi se gjendja e romëve në vende si Franca, Italia dhe Spanja është e njëjtë me atë të vendeve qëndrore e lindore të unionit, si Hungari, Rumani dhe Sllovaki.
”Kjo është pikërisht ajo që na ka befasuar më shumë. Prisnim të gjenim ndryshime të rëndësishme, duke pasur parasysh diferencat në nivelin e jetesës midis vendeve të marra në shqyrtim, por kur përsa i përket romëve, këto diferenca pothuajse zhduken dhe trajtimi i të gjithëve është praktikisht i njëjtë”, deklaroi Dimitrakopoulos.
Në studim u përfshinë romët e Bullgarisë, Republikës Çeke, Francës, Greqisë, Italisë, Hungarisë, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës. Midis gjetjeve kryesore të raportit janë.
– Vetëm 15% e romëve mbi 18 vjeç kanë kryer studimet sekondare (gjimnazin) në vendet e BE-së.
– Mesatarisht, më pak se 30% e romëve kryejnë një punë të paguar.
– Gjysma e kësaj popullate ka një ose më shumë mungesa të objekteve të domosdoshme shtëpiake si: kuzhinë, tualet, dush apo elektricitet.
– 40% e romëve pranojnë se kanë vuajtur urinë për një ose më shumë ditë brenda një muaji, pasi nuk kanë pasur të ardhura për të blerë ushqim.
Top Channel