Përfaqësuesja shqiptare ka mbërritur në Tiranë pas fitores së ndeshjes miqësore me Katarin 2-1, ndeshje që u zhvilluar në Spanjë.
Kjo ishte fitorja e parë për trajnerin italian, i cili edhe pse i kënaqur nga loja pretendon më shumë nga skuadra e cila ka disa emra të rinj.
“Skuadra luajti mirë dhe lojën e vlerësoj më shumë se rezultatin. Djemtë ndoqën këshillat e mia, pasi i kërkova të luanin shpejt dhe nga krahët. Krijuam disa raste per të shënuar sidomos në pjesën e parë edhe pse përfundoi 0-0. Sigurisht që na duhet të përmirësohemi pasi një pjesë e lojtarëve debutuan. Për këtë arsye e vlerësoj pozitivisht. Lojtarët e rinj në tërësi u paraqitën mirë, Mavraj gjithashtu i cili luajti në qendër me Canën. Ndeshja e rradhës me Iranin është më e vështirë, pasi kundërshtari është më i fortë, shpresojmë që t’ia dalim mbanë me sukses”, deklaroi trajneri italian De Biasi në mbërritjen në aeroportin “Nënë Tereza”.
Ndërkohë, për kapitenin Cana, jehona e kësaj ndeshjeje u zbeh ndjeshëm pas ngjarjes së rëndë të aksidentit të ndodhur në Himarë dhe ashtu si të gjithë lojtarët këtë fitore jo vetëm ai, por të gjithë e përjetuan ndryshe.
“Duke parë atë që ndodhi në Shqipëri, ndeshja mori një tjetër kuptim, edhe pse u përpoqëm që të përqendrohemi tek ajo. Por, sigurisht që të gjithë e kishim mendjen në Shqipëri dhe tek familjarët e atyre që vdiqën në këtë aksident. Sidoqoftë, u përpoqëm të bënim detyrën tonë për të fituar edhe për ata që humbën jetën. Sigurisht, ishte diçka e mirë që fituam, edhe pse kishte një shije të ndryshme kjo ndeshje”, deklaroi kapiteni Cana.
Ndërkohë, i shumëpëfoluri Mërgim Mavraj, ka debutuar me përfaqësuesen kuqezi pas shumë orvatjesh, ofertash e refuzimesh.
I kërkuar disa herë nga Federata Shqiptare e Futbollit, mbrojtësi me pasaportë gjermane ndihet i kënaqur që më në fund jep kontributin për Shqipërinë, duke e konsideruar këtë edhe një hap drejt “paqes” me tifozët shqiptarë.
“E ndiej veten momentalisht shumë të lumtur, pasi ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe e rëndësishme për mua. Ka qenë edhe një kënaqësi e shtuar që fituam, prandaj gjithçka ishte e bukur. Përsa më përket mua, kuptohet që kam pasur emocione, edhe sepse kam kaluar një periudhë shumë të zorshme për mua, e ndaj tani ndihem i kënaqur për prezantimin në kombëtare. Ky është një hap i parë që kam hedhur e duhet të vijnë edhe shumë hapa të tjerë”, u shpreh Mavraj, lojtari më i ri i kombëtares sonë.
Top Channel