Skuadra e Napolit nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga asi i saj, Edinson Cavani, sulmuesi uruguajan që shkëlqeu këtë vit për napolitanët, duke fituar edhe trofeun e Kupës së Italisë në finalen e 20 majit kundër Juventusit.
Ka qenë vetë presidenti i të kaltërve, De Laurentis ai që ka deklaruar se Cavani do të largohet nga Napoli vetëm nëse në arkat e klubit mbërrijnë oferta stratosferike.
“Cavani nuk mund të shitet, vetëm nëse në drejtim të klubit vijnë oferta të cmendura. Përballë ofertave të tilla s’mund të rezistojmë”, deklaron De Laurentis.
Por cfarë kupton De Laurentis me “oferta të cmendura”? Sa është shifra dysheme e vendosur prej tij? Sipas mediave italiane, oferta “bindëse” për të, duhet të jetë mbi 50 milion euro, shumë kjo që pak skuadra në Europë janë në gjendje ta përballojnë. Skuadrat që kanë shfaqur interes për lojtarin e Napolit, megjithëse nuk ka asnjë kontaktim zyrtar, janë Interi i Moratit, pasanikët rusë të Anzhit dhe ata arabë të PSG-së në Francë.
Interes për Cavan-in shfaqi edhe Juventusi, por vështirë që kampionët e saposhpallur të Italisë të shpenzojnë 50 milion euro për të patur shërbimet e tij.
Gjithsesi këto mbeten vetëm zëra, për të mësuar nëse Cavani, sezonin e ardhshëm do të luajë me të njëjtën fanelë apo do të ndërrojë skuadër, duhet pritur çelja zyrtare e merkatos verore.
Top Channel