Bursat ndërkombëtare pësuan rënie, në prag të samitit të Bashkimit Europian, ndërsa shqetësimet sa vijnë e shtohen për të ardhmen e Greqisë në Eurozonë.
Ky zhvillim pasoi deklaratën e ish-kryeministrit grek, Lukas Papadhimos, i cili tha se qeveria po bën përgatitje për shkëputjen e Greqise nga zona e monedhës së përbashkët.
Në një interviste për Dow Jones News Wires, Papadhimos tha se “rreziku që Greqia të dalë nga zona euro është real dhe varet nga populli grek, nëse do të mbështesë zbatimin e programit ekonomik”.
Bursat në Itali dhe Spanjë shënuan renie me më shumë se 3 %, ndërsa në Londër, Paris dhe Frankfurt, nën 2 %. Euro shënoi dhe rekordin më të ulët ndaj dollarit këto 22 muajt e fundit. Monedha e përbashkët ra nën 1.26 dollarë, për herë të parë prej gushtit të vitit 2010. Në Nju Jork, Dow Xhons ishte nën 1.3 %. Kësaj gjëndjeje pesimiste iu shtua edhe reagimi i Bankës Qëndrore Gjermane “BundesBank” sipas të cilës, gjendja në Greqi është “shumë alarmuese”.
Pavarësisht parashikimeve pesimiste për Greqinë, shefja e fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard vazhdon të ushtrojë presion ndaj Athinës për të rregulluar financat e saj. Në një intervistë për BBC-në ajo tha se populli grek ka bërë përpjekje të mëdha, por duhet të bëjë më shumë.
“Ka më shumë reforma strukturore”, shpjegoi Lagarde. Më shumë taksa për t’u mbledhur dhe e gjitha kjo ka një cmim”, nënvizoi ajo. Politikanët grekë janë të ndarë për të mbështetur masat shtrënguese që i janë vendosur vendit nga FMN dhe BE, në këmbim të planeve të shpëtimit. Shumë analistë besojnë se Greqia do të dalë nga eurozona dhe nëse kjo do të ndodhë sipas Lagarde, FMN po përgatitet edhe për këtë skenar.
Top Channel