Pavarësisht mohimit të ekzistencës së shtetit të Kosovës nga Serbia, Kosova vazhdon me përpjekjet e saj për të mundësuar pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve.

Një nismë e re për këtë çështje u inicua nga zyra civile ndërkombëtare në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë nëpërmjet një konference me titull  ballafaqimi me të kaluarën, çfarë lloj mekanizmi për kërkimin e së vërtetës i duhet Kosovës?

”Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare kërkojnë mbylljen e çështjeve të lëna pezull, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të ballafaqohen me të kaluarën në mënyrë që pajtimi mes dy popujve të jetë më i lehtë”, deklaroi zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili shtoi se pajtimi nënkupton ndërtimin e raporteve si shtete të pavarura, por jo koncesione të reja në kurriz të Kosovës.

I pyetur nga gazetarët se kjo nismë për pajtim a i paraprin asaj që është biseduar kohëve të fundit për një dialog me serbët e pjesës veriore të Kosovës, Kuçi sqaroi se “kjo nuk ka të bëjë me ate qe quhet dialog politik. Sipas tij, qëllimi është krjimi i një pasqyre për të kaluarën dhe ndërtimi i një të ardhme në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin”.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Piter Feith, tha  me këtë rast se kjo është një çështje shumë e ndjeshme pasi Kosova ka kaluar nëpër një periudhë kohore që ishte shumë e rëndë dhe e dhimbshme në fund të viteve të 90-ta dhe shumë kujtime nga ajo kohë janë ende të gjalla.

Ai shtoi se janë të vetëdijshëm se në situatën aktuale, duke pasur parasysh raportet me Serbinë, gjendja nuk është e lehtë. “Ne, së bashku me Qeverinë e Kosovës, përmes kësaj konference kemi filluar një proces për t’i dhënë fund një drame. Ne jemi të vetëdijshëm se në situatën aktuale dhe duke patur parasysh raportet me Serbinë kjo nuk është e lehtë, ka pasur raste kur këto konflikte janë tejkaluar kur vendet fqinje janë pajtuar se duhet të jetojnë së bashku në paqe dhe e kanë pranuar njëri-tjetrin dhe kanë lëvizur drejt BE-së. Kjo nuk ka ndodhur ende mes të Kosovës dhe Serbisë, por shpresoj që Serbia do të jetë në gjendje të ndryshojë”, tha Feith.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i BE-se në Kosovë, Samuel Zhbogar, i është referuar mënyrës se si është krijuar Bashkimi Europian, kur shtetet që ishin armiq në mes tyre, tani kanë synime që së bashku të hyjnë në BE.

Për t’i vënë kapakun kësaj nisme dhe qëllimit të pajtimit Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pritet të krijojë shumë shpejt një komision për vlerësimin e të kaluarës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA