Dy binjakë, të lindur me një peshë të përbashkët pak më të madhe se një kilogram, arritën të mbijetonin përtej të gjitha parashikimeve, pas një lindje tejet të parakohshme në Britaninë e Madhe.
George dhe Harrison Kent, të cilët sipas “Daily Mail” lindën pa përfunduar muaji i pestë i shtatzanisë (15 javë përpara kohe), pritej që të mos ishin në gjendje të jetonin më shumë se disa orë ose në rastin më të mirë, vetëm pak ditë.
Megjithatë, të dy djemtë luftuan fort për jetën e tyre dhe pasi u trajtuan në gjashtë spitale të ndryshme, ku qëndruan për disa javë të tëra, iu dorëzuan shëndoshë e mirë familjes, ku do të nisin tashmë jetën e tyre normale.
Pas trajtimeve të ndryshme, të dy binjakët tashmë peshojnë tre kilogramë e gjysëm dhe nuk kanë asnjë problem shëndetësor.
Nëna e binjakëve, 25-vjeçarja Melanie deklaroi: “Ata janë dy mrekullitë e mia. Kam lindur dy luftëtarë të vegjël”.
Pasi mbeti shtatzanë në muajin gusht, e reja Kent mësoi se binjakët e saj vuanin nga një problem, i quajtur sindroma e transfuzionit tek binjakët, me Harrison që merrte shumë më tepër gjak nga George dhe kjo ndikonte në bllokimin e zhvillimit të fëmijës së dytë.
Për të mos humbur asnjë prej foshnjeve, nëna iu nënshtrua disa trajtimeve të ndryshme, por një reaksion i shkaktoi një lindje shumë të parakohshme.
Në kulturën e përgjithshme, muaji i shtatë i shtatzanisë vlerësohet si më i hershmi në të cilin mund të kryhet një lindje e suksesshme, ndonëse shumë e rrezikshme për foshnjen dhe nënën.
Një lindje në muajin e gjashtë, është përgjithësisht fatale, pasi fëmija nuk ka zhvilluar ende lëkurën e jashtme dhe as strukturën e plotë të brendshme të trupit.
Megjithatë, trajtimet e avancuara mjekësore, si ai i rastit në fjalë, kanë arritur të ndikojnë që pritshmëria e jetesës nga këta fëmijë të përmirësohet sadopak.
Top Channel