Të gjithë e dimë se të hash ushqime të yndyrshme do të thotë të shëndoshje e sigurt, por një studim amerikan thotë se edhe koha kur ha mund të jetë po aq e rëndësishme sa ajo që ha.
Të ngrënit duke ndenjur në kompjuter apo duke parë një film në orët e vona të natës rrit mundësinë për shtimin e kileve të tepërta. Në këtë përfundim kanë dalë shkencëtarët amerikanë pas testeve që i bënë disa minjve laboratori.
Një grup konsumoi ushqim në një orar të caktuar, ndërsa grupi tjetër u la i lirë të hante kur të donte. Studiuesit panë se edhe pse të dy grupet konsumuan të njëjtën sasi kalorish, minjtë që hanin me orar nuk u shëndoshën.
Dr. Satchidananda Panda, udhëheqësi i studimit, shkruan në revistën ‘Cell Metabolism’: “Në periudha të ndryshme të ditës mëlçia dhe muskujt janë në kulm të punës, ndërsa në periudha të tjera janë në gjumë. Kur dikush konsumon ushqim përgjatë gjithë ditës cikli metabolik prishet dhe bëhet më e lehtë të shtosh në peshë.”
Top Channel