Kryebashkiaku i Himarës: Situata, e rëndë

21/05/2012 00:00

Kryetari i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro deklaroi se të gjithë
strukturat e zonës,por edhe banorët bënë të pamundurën që të shpëtonin
jetën e të lënduarve.

Në një prononcim për Top Channel kryebashkiaku himariot theksoi se grupi hetimor tashmë po kryen veprimet e duhura për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërsa u shpreh se prej kohësh rruga ku ndodhi aksidenti ka qenë e rregulluar.

Aktualisht në Himarë nuk ka më asnjë të plagosur, por aty ndodhen vetëm trupat e 11 viktimave.

Një prej dëshmitarëve okularë bëri me dije për Top Channel se të gjithë banorët menjëherë sapo morën vesh për tragjedinë nxituan të shpëtonin të gjithë pasagjerët që ishin ende gjallë.

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi deklaroi se zona ku ndodhi aksidenti është në gjendje të mirë, sepse sapo është konstruktuar, por shkaqet e aksidentit mbeten për t’u verifikuar.

Megjithatë paraprakisht, nga informacionet e deritanishme, Olldashi konfirmon se nuk kanë qenë kushtet e rrugës dhe as ndonjë pengesë e papritur shkak për aksidentin.

“Mund të flitet për një humbje të vemendjes, ose ndonjë problem shëndetësor të drejtuesit të mjetit”, thotë  Olldashi.

Ndërkohë ministri i Brendshëm Bujar Nishani nuk konfirmoi asnjë të dhënë paraprake, por theksoi se aktualisht vendi ku ndodhi aksidenti po mbahet nën kontroll të rreptë.

Në një intervistë për Top Channel, Nishani njoftoi se ngjarja kërkomn një hetim të hollësishëm, por vlerësoi se zona ku ka ndodhur aksidenti ka qenë një terren jashtëzakonisht shumë i vështirë.

Top Channel