Të premten Facebook vendosi të kuotojë 1/5 e aksioneve të veta në bursën amerikane ku u vlerësuan me shuma stratoferike duke shkuar deri në 21 miliard dollarë.
Vlera e një titulli shkoi deri në 42 dollarë. Por në ditën e dytë në bursë, rrjeti social bie pikiatë, duke humbur plot 12 përqind të vlerësimeve të ditës së parë. Oferta për titujt e Facebook ranë nën 38 dollarë, që ishte edhe çmimi i dysheme i publikuar nga Mark Zuckerberg, të enjten, një ditë para kuotimit në Wall Street.
Dita e dytë tregoi që aventura e Facebook në bursë është një zhgënjim total. Për disa nga analistët në bursë shkon edhe më tej; falimentim. Rich Karlgaad nga revista Forbes rendit shtatë arsyet e dështimit të rrjetit social në Wall Street:
1): Hyrja me vonesë në bursë, 2) Mark Zuckerberg nuk ka dëshiruar kurrë kuotimin në bursë të krijesës së tij, por investitorët këmbëngulën, 3) Facebook nuk joshi dot ata që quhen investitorë të thjeshtë që përbëjnë pjesën më të madhe të bursave, 4) arsyeja e katër është hyrja në bursë në një moment pasigurie të bursave, shkaktuar nga kriza në Europë, 5) Facebook ëshë shndërruar në monoton, njerëzit kanë nisur të mërziten me të, 6) nuk është një mjet i nevojshëm konsumi për publikun dhe 7) industria e rrjeteve sociale, përgjithësisht nuk krijon siguri solide.
E në fakt, vlerësimi i Forbes vërtetohet nga tregjet financiare, ku dy ditë nga hyrja në bursë, titujt e Facebook u shitën me 33.52 dollarë, shumë më poshtë se sa oferta fillestare prej 38 dollarësh. E thënë ndryshe, në ditën e dytë në bursë, ka patur më shumë persona që kanë tentuar shitjen e titujve të Facebook se sa blerës të tyre.
Top Channel