Drogba i “kërkon llogari” Champions-it

21/05/2012 10:50

Didier Drogba i mbajti një fjalim të gjatë Kupës së Kampionëve pasi Chelsea arriti të fitonte trofeun më të madh europian pas fitores me 11-metërsha ndaj Bayern Munchen në finalen e zhvilluar në “Allianz Arena”.

Në prani të pronarit Roman Abramovich dhe të gjithë skuadrës, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë i kërkoi llogari trofeut për shmangien që ky i fundit i ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve.

Presidenti i londinezëve Bruce Buck theksoi për ‘The Sun’: “Kupa ishte në mes të një tavolinë në dhomat e zhveshjes. Didier po kërcente dhe po këndonte sipas një riti fetar të vendit të tij. Ai më pas foli rreth 15 minuta për Barcelonën në vitin 2009, për finalen e humbur në Moskë dhe për të gjitha rastet e tjera kur i jemi afruar fitores së Ligës së Kampioneve. Ishte diçka shumë e bukur.”

“Drogba i kërkoi shpjegim se pse ajo (Kupa) kishte flirtuar me të për një kohë kaq të gjatë, por duke e shmangur gjithmonë në momentin e fundit”, shtoi Buck.

Sulmuesi afrikan ishte protagonisti kryesor i finales me golin e barazimit të shënuar dy minuta nga fundi i kohës së rregullt dhe me penalltinë decizive që i dha trofeun e parë në histori Bluve të Londrës.

Drogba mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit në karrierë për Chelsea pasi kontrata e tij ka përfunduar tashmë. Gjatë kësaj jave Abramovich do të takohet me të për të vendosur të ardhmen e tij që duket se me shumë mundësi do të jetë larg Chelsea.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA