
Finalja e Kupës së Italisë me Napolin ishte e fundit për Alesandro Del Pieron me fanelën e Juventusit. Kapiteni në ndeshjen e zhvilluar në Olimpiko të Romës luajti pak më shumë se 60 minuta duke mos shënuar asnjë gol. Megjithatë publiku nuk ngurroi ta duartrokiste atë në përfundim të ndeshjes.
‘E përshëndeta sërish publikun ashtu sic bëra edhe javën e kaluar. Lidhja mes meje dhe tifozëve ka qenë fantastike, gjatë gjithë këtyre 19 viteve. Do të më pëlqente që ndeshja ime e fundit të kishte tjetër rezultat, por gjërat shkuan ashtu sic e pamë të gjithë. Kur luhen ndeshje të tilla duhet të pranosh verdiktin në fushën e lojës. Gjithsesi mund të them se ky vit ishte i jashtëzakonshëm në shume aspekte’, tha Del Piero.
Për Del Pieron, finalja e Kupës së Italisë ishte e 705 me skuadrën e Juventusit, por 37-vjecari duket se nuk ka ndërmend të ndalë këtu karrierën e tij.
‘Nuk do të tërhiqem nga futbolli i luajtur. Të shohim se cfarë do të ndodhë. Tani do të shkoj me pushime për të fituar energjitë e shpenzuara’, shtoi Pinturikio.
Top Channel