Natyra shqiptare po përjeton sot fazën më kritike të jetës së saj. Mes prerjes së pyjeve, grryerjes pa fund të lumenjeve, betonizimit, masakrave mbi kafshët e egra e ndotjes së kudondodhur që e kane kthyer çdo cep të vendit në një oaz të braktisur për të cilin duket sikur s’do t’ia dijë askush.
Në të njëjtën situatë ndodhet sot edhe liqeni i Prespës së Vogël që po rrudhet e shkatërrohet me shpejtësi marramendëse.
Nje luginë e gjatë e shtrirë mes kodrash të buta, mbuluar nga një bimësi e dendur, herë herë e jeshiltë e më së shumti e zverdhur nga dielli zgjatohet deri tej në horizont.
Rruga vërtitet ngatërrueshëm me peisazhin e qetë që dominon krejt zonën përreth, anës së ciles dallohen edhe shtepitë e Shyecit dhe Buzëliqenit. E vështirë të besosh se mes dy fshatrave, pas asaj fushe që shoqëroi udhëtimin e kamerave të reportazhit të përjavshëm të “Shqipërisë Tjetër”, fshihet një liqen, liqeni i Prespës së Vogël.
I gjithë territori i liqenit që i përket Shqipërisë është në mënyre tërësore në një gjendje të kënetizuar, ku syri të kap veç disa flluska të vetmuara uji që ngjajnë më shumë me pellgaçet e krijuara pas shiut.
Gjithçka tjetër duket e ngërthyer në një katastrofë ekologjike me dëme të pallogaritshme, një formë sëmundjeje misterioze, apokaliptike që duket se sot ka gllabëruar gjithçka në këtë hapësire ujore.
”Liqeni ka burime brenda në vetvete veç burimeve anësore që ka. Ato u bllokuan. Në grykë të liqenit, atje ku thellësia është 4-5 metra, ka po kaq metra baltë”, shprehet një peshkatar i zonës.
Në horizont dallohet pjesa e liqenit që i përket Greqisë, e cila duket si e ndarë me thike me krahun shqiptar. Dy imazhe paralele, në dy realitete të kundërta, andejmi liqeni vezullon mes pastertisë, ndërsa në krahun tonë kundërmon i mbytur e i marrëfrymesh nga bimesia e hazdisur keqazi kudo.
”Realiteti kështu është, ndryshon me kufi. Që nga kufiri nga pika ku është piramida e këtej nuk është as liqen as fushë. Ka kallama, çfare s’ka. Po të shikosh andej ke qejf të shikosh. Liqeni është i pastër. Pisllëqet tona deri tek lumi kanë shkuar, më pas është pastër”, shprehet Sulejman Hyseni, kryeplaku i komunës së Liqenasit.
Nga njëri krah, llumi e inertet e sjella për vite me radhe nga lumi Devoll, ndjekur me mungesen totale të investimeve të domosdoshme për pastrimin e zhbllokimin e burimeve të liqenit, jane arsyet kryesore që kanë çuar në degradimin e tij të plotë.
”Unë sa u bera deri me sot, nuk kam parë asnjeri të vijë të vërë dorë në liqen. Sot për sot, as liqen e as toke buke s’mund të jetë. Mund të jetë një kënetë”, thotë një tjetër banor, i quajtur Erald Bostanxhiu.
Ndryshe nga dikur, kur thellesia ishte e konsiderueshme, sot liqenin në pjesën më të madhe të tij mund ta përshkosh edhe në këmbë për shkak të thellësisë që shkon jo me shume se 1 metër e 30 centimetra.
Vende vende liqeni është kthyer në tokë bujqësore, ndërsa liqeni duket i strukur në një grusht të vogel fshehur në kufijte e mbijeteses ku ndonjë peshkatar përpiqet të gjuajë e të kapë diçka, shpesh pa fat.
”Ka qenë shume liqen i mirë. Nuk ka pasur as kallama, as llum, vetëm pak mbase në cep. Kishte 10–15 metra thellësi dhe kishte vetëm ujë. Kishe qejf të lundroje me varkë, si për peshkim, si për qejf, si për çdo gjë ishte shumë mirë. Po të ishte ende ashtu, zona mund të ishte bërë turistike, mund të ishin hapur lokale buzë liqenit dhe zona do të kishte një të ardhme”, shtoi kryeplaku Hyseni.
Perla e dikurshme e rrokullisur drithtazi është kthyer në ferrin aktual me natyren që lëngon e që vështirë se mund të kthehet pas në kohën kur liqeni i Prespës së Vogel merrte frymë e gjallonte mes një faune e flore të zgjedhur e për t’u pasur zili.
Shpendët e rrallë të dikurshëm, mes të cilëve edhe pelikani janë rralluar ndjeshem. Vendin e tyre e ka zënë kori i bretkosave, e shushërima ndjedhëse e mushkonjave, vizitorët e vetëm të pandashem të liqenit.
Në brendësi të liqenit, masakra bëhet edhe më e prekshme në dredhat pa orientim, të varkes qe zvarritet për të mbërritur në thellësi të tij.
”Kemi shumë vështirësi. Siç e shikoni dhe vetë këtu, thellësia është një metër ujë, ka dhe barishte shumë poshte. Ja, siç e shikoni ka shumë barishte poshtë, nuk mundet të gjuash me rrjeta, edhe peshku po ta shikoni ka ikur i gjithi nga greku lart. Këtu jemi në mes të liqenit e s’ka peshk. Po nuk u pastrua Prespa, ka marrë fund si liqen”, shprehet një peshkatar, ndërsa lundron me kamerat e “Top-Channel” në bord.
Për Prespën e Vogël flitet kudo, në fjalime për mjedisin në Shqiperi, në deklarata për sukseset e njëpasnjëshme, në enciklopedi, në studime, e madje edhe shkrimtarë i kanë thurrur poezi.
Për Prespën e Vogël flitet vërtet kudo, por pertej fjalëve, realiteti është krejt tjetër. Prespa e Vogël është sot në kufijte e mbijetesës, kthyer në një moçal, në një kënetë.
Me këtë ritëm, nesër s’do të ketë më asgjë, e në të mësuarit me fjalëshumë do të drejtohemi me gisht nga e shkuara për të treguar për liqenin që egzistonte dikur.
Top Channel