Kombëtarja drejt Spanjës

19/05/2012 19:15

Edhe pse nuk ka në dispozicion lojtarët më të mirë të mundshëm në miqësoret me Katarin dhe Iranin, trajneri i kombëtares shqiptare ka pohuar se këto dy ndeshje do t’i shërbejnë atij dhe skuadrës për të patur një ide më të qartë rreth mënyrës se si do të luajë përfaqësuesja jonë në eleminatoret e Botërorit 2014.

“I kam parë këto dy kundërshtarë, në një miqësore mes tyre që doli 2-2. Irani është më i fortë dhe kjo vërehet edhe në renditjen e FIFA-s, ku ata janë 30 vende sipër nesh. Janë dy teste shumë të rëndësishme dhe shumë të vështira për ne. Mundësia e zhvillimit të 2 miqësoreve njëra pas tjetrës është e rëndësishme për mua pasi më jep mundësinë të njoh më mirë skuadrën. Mua nuk më intereson se kush nuk është, por kush është këtu dhe cfarë do të japë. Të gjithë do të kenë mundësinë të luajnë, por do të mundohem të nxjerr në fushë një skuadër shumë afër asaj që do të luajë në eliminatoret e botërorit”, thotë trajneri kuqezi.

Të dielën kombëtarja do të niset për në Spanjë aty ku me 22 maj do të përballet me Katarin. Pas ndeshjes kuqezinjtë do të kthehen në Shqipëri dhe pas një qëndrimi 2 ditor do të nisen drejt Stambollit, pasi me 26 maj do të luajnë miqësoren me përfaqësuesen e Iranit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA