Ronaldinho, i dehur në stërvitje

18/05/2012 16:50

Viti 2012 nuk do të kujtohet me kënaqësi nga Ronaldinho, të paktën jo në aspektin sportiv. Loja e dobët me Flamengon dhe mosgrumbullimi nga kombëtarja braziliane për Lojërat Olimpike janë dështimet e yllit brazilian për këtë sezon.

Por tani Ronaldinho ka dalë në faqet e para të gazetave braziliane pasi është paraqitur i dehur në seancën stërvitore të së mërkurës me ekipin e tij që po përgatitet për nisjen e kampionatit.

Sipas ‘Globoesporte’, ish-lojtari i Barcelonës dhe Milanit ka ardhur në fushën stërvitore me truprojat e tij dhe ka kërkuar të mos jetë pjesë e stërvitjes për shkak të disa dhimbjeve muskulare.

Kjo sjellje ka irrituar drejtuesit e Flamengos të cilët janë munduar ta bindin që të stëvitej me shokët. Ronaldinho në fund ka pranuar të bëjë vrapime rreth fushës i vetëm në kohën që lojtarët e tjerë stërviteshin në grup.

E ardhmja e brazilianit tashmë është në dyshim sepse drejtuesit e Flamengos kërkojnë më shumë përgjegjësi nga një lojtar të cilit i kanë besuar shiritin e kapitenit.

Top Channel