Tirana fiton Kupën e Shqipërisë

17/05/2012 22:55

Tirana është fituesja e Kupës së Shqipërisë pasi ka mundur 1-0 Skëndërbeun në “Qemal Stafa”, në 120 minuta lojë.

Një ndeshje e kujdesshme nga të dyja skuadrat, nga njëra anë kampionët në fuqi të skuadrës korcare kërkonin të hynin në histori me të dy trofetë pas kampionatit, ndërkohë që Tirana për të mos dalë duarbosh, synonte këtë trofe të mbetur.

Një lojë e zhvilluar më mirë nga kryeqytetasit të cilët e kërkuan me më shumë ngulm golin, ndërsa sulmi korcar me Xhafën e Plakun ishte i mbuluar mjaft mirë dhe thuajse për asnjë moment nuk vunë në vështirësi Likën.

Edhe pse me një ndeshje me ritëm të lartë Tiranës nuk i ka mjaftuar koha e rregullt për të zhbllokuar shifrat.  

Në pjesën e dytë të kohës shtesë, në minutën e 107’ një krosim i Takut shfrytëzohet mjaft mirë nga Bala i cili mposht Shehin, ashtu si gati një vit më parë në finalen e Superkupës.

Vetëm pak minuta nga ky rast sërish Bala i vetëm përball Shehit gabon duke e lënë skuadrën e tij në presion për ato minuta të mbetura që gjithsesi nuk ndryshuan asgjë në rezultat.

Ky është trofeu i dytë i trajneri spanjoll Hulian Rubio pas Superkupës, duke e shndërruar këtë sezon nga të vakët, në të suksesshëm për 24 herë kampionët e Shqipërisë.

Kjo për Tiranën ishte kupa e 15-të, shifër kjo që e barazon me kupat e fituara nga Partizanin, e së bashku këto dy skuadra që e kanë fituar më shumë këtë trofe.

Top Channel