Pragsfida Tirana-Skënderbeu

16/05/2012 00:00

Pas rikonfirmimit si Kampoin i Shqipërisë në futboll, trajneri i Skënderbeut, çeku Stanislav Levi kërkon të hyjë në historinë e këtij klubi si tekniku i parë që fiton 2 trofetë më të rëndësishëm brenda një sezoni.

“Do të bëjmë ç’është e mundur që ta fitojmë këtë ndeshje, do të japim maksimumin që ta fitojmë këtë sfidë. Duam që të jemi të parët që sjellim në Korçë dy trofetë më të rëndësishëm të sezonit”, deklaron trajneri i korçarëve.

Ndërkohë të njëjtin synim do të ketë edhe Tirana për këtë finale duke qenë se objektivin parësorë të kampionatit e humbi, detyrimisht Kupa kalon në një rëndësi të veçantë. Trajneri Hulian Rubio në konferencën për shtyp një ditë përpara ndeshjes thotë:

“Ne nuk jemi jashtë objektivit edhe pse e humbëm titullin kampion. Objektivi parësor ishte të hynim në Europë dhe ne e bëmë këtë gjë përpara 3 muajsh. Për këtë finale ne jemi në kulmin e formës dhe me moralin shumë të lartë, pasi kështu është finalja, një ndeshje e vetme pa kthim. Pra kemi një ndeshje të cilën do ta luajmë fort për të fituar, për të mbajtur edhe rekordin e asnjë humbjeje të Tiranës në Kupë. Sa i përket kontratës time, duhet të theksojmë se nuk varet nga suksesi apo mossuksesi në këtë finale”, thotë trajneri bardheblu, Hulian Rubio.

Të enjten Skënderbeu do të përballet me Tiranën në “Qemal Stafa”, sfidë kjo që do të trasnmetohet direkt në Supersport 2 duke filluar nga ora 19:30. Skuadrat që e kanë fituar më shumë Kupën e Shqipërisë janë ekipet e kryeqytetit, Partizani 15 herë, Tirana 14 herë dhe Dinamo 13 herë.

Top Channel