Fëmijët e lindur në vitin 2012, mund të dalin në pension vetëm kur të mbushin 80-vjetorin e tyre, tregoi një studim i kryer në vendet e Europës Perëndimore.
Studimi mori parasysh faktorët që kanë detyruar qeveritë e shumë vendeve të debatojnë për moshën e daljes në pension, midis të cilave rritjen e jetëgjatësisë, kosto e madhe financiare e pensioneve dhe përmirësimi i cilësisë së jetës.
Ndonëse studimi u fokusua në vendet më të zhvilluara të kontinentit, është e qartë që ai është i vlefshëm edhe për Shqipërinë, një vend që gjithashtu ka filluar ta ndiejë barrën e rëndë buxhetore të kostos së pensioneve.
Aktualisht, shumica e vendeve europiane, përfshi shtetin tonë, aplikojnë moshën 65-vjeçare për daljen në pension të meshkujve dhe 60 për femrat, por gradualisht, kufiri ka filluar të ngrihet me së paku dy vjet në shumë vende të BE-së.
Sipas studimit, besohet se kjo tendencë do të vazhdojë të rritet vazhdimisht, me të paktën 1-2 vjet rritje të moshës së daljes në pension, si një mënyrë e efektshme për të reduktuar barrën fiskale.
Në bazë të përllogaritjes, gjithmonë nëse përmirësimi i cilësisë së jetës dhe rritja e jetëgjatësisë do të ecë me të njëjtet ritme si në dekadat e fundit, fëmijët e sapolindur mund të presion të dalin në pension 80 vjeç nëse janë meshkuj dhe 77 për gratë.
Top Channel